O’Boyle i ftuar nga Shqipëria! Talenti i Chelsea-t, babai zbulon edhe të vërtetën e mbiemrit

Futboll 10 Mars 2021 11:32

Një tjetër talent i vjen Shqipërisë nga Chelsea! Këtë herë flitet për sulmuesin 15-vjeçar, Elidon O’Boyle.

Sipas stafit të ekipit londinez nëse ky futbollist do të vazhdojë në këto ritme, do të ketë një të ardhme shumë të madhe përpara.

Kuqezinjtë lëvizën menjëherë gurët për ta marrë në gjirin tonë talentin dhe për herë të parë është thirrur nga ana e Ervin Bulkut me U-17 e Shqipërisë.

Ajo që bënë përshtypje në këtë rast është mbiemri i Elidonit, O’Boyle. “Sport Ekspres” ka marrë një prononcim nga babai i tij, Buc Mulgeci.

Teksa i japim përgëzimet tona për mënyrën sesi e ka rritur djalin duke e sjellë me pushime çdo vit në Shqipëri, që të mos harrojë kurrë origjinën, Buc Mulgeci thotë mes krenarisë: “Epo jemi nga Tropoja ne, nuk e harrojmë kurrë Shqipërinë”. Ndërkohë kur flitet për mbiemrin, babai i Elidonit na tregon se bëhet fjalë për mbiemrin që futbollisti mban nga nëna e tij që është me origjinë nga Irlanda.

“Unë jam me origjinë nga Tropoja dhe kam emigruar në 1996. Ne nuk e kemi harruar kurrë Shqipërinë, kemi shumë dashuri për origjinën tonë. Gjithmonë, vit për vit, e sillja familjen që të bënte pushimet në Shqipëri. Madje djali i madh kërkon që të vij në Shqipëri nga Anglia për të vazhduar shkollën. E ka shumë me qef dhe do të rrijë përgjithmonë aty. Por sigurisht që nuk është mundësia pasi duhet të jetë me ne. Mbiemri? Unë jam i martuar me një irlandeze që jetonte në Angli, ka marrë mbiemrin e nënës. Dua që Elidoni të vazhdojë të rritet dhe të ketë një karrierë të ndritur në të ardhmen”, tha Buc Mulgeci. /Sport Ekspres/

-->