Oliver Kahn kritikon ashpër paraqitjen e Lewandowskit

Futboll 26 Prill 2018 12:15

Ish-portieri i Bayern Munchen, Oliver Kahn, është deklaruar për humbjen që skuadra bavareze e pësoi mbrëmë nga Real Madrid, në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.

Kahn ishte kritik kundrejt paraqitjeve të disa lojtarëve të Bayern Munchen në ndeshjen e zhvilluar në “Allianz Arena”.

Përkundër së Bayern kaloi e para në epërsi, përmes golit të mbrojtësit anësor, Joshua Kimmich në minutën e 28-të, ekipi i Real Madrid arriti ta barazojë rezultatin brenda pjesës së parë, e pastaj të shënojë edhe golin e fitores në pjesën e dytë të ndeshjes.

Ish-portieri 48 vjeçar, kritikat më të ashpra i drejtoi në sulmuesin polak të Bayern Munchen, Robert Lewandowski, për të cilin tha se me paraqitjen e tij të mbrëmshme, tregoi se nuk është një lojtarë i madh, por veçse një sulmues i zakonshëm.

“Ishte një ndeshje që prodhoi shumë raste, por këto raste duhej të shfrytëzoheshin nga sulmuesit e Bayern. Lewandowski nuk ishte në nivelin e kërkuar, pasi në këtë takim e pashë që arriti të krijonte shumë pak në aspektin ofensivë. Ai duhet të dëshmoj që është një sulmues i madh, pikërisht në ndeshje të tilla. Mendoj që ai nuk e ka justifikuar asnjëherë këtë gjë, në ndeshje të mëdha si kjo kundër Real Madrid”, u shpreh Oliver Kahn.

Ish-kapiteni i gjermanëve, tani është në rolin analistit në “Sky Sports” dhe jo pak herë ka kritikuar lojën e ish-skuadrës së tij, Bayaern Munchen. Ai kishte paralajmëruar më herët skuadrën e Jupp Heynckes se, nuk do ta kishte të lehtë përballjen kundër Real Madrid në dy ndeshjet gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve. /Insporti.com

 

-->