Pallacanestro Varese – Z Mobile Prishtina, mbyllet me këtë rezultat

Basketboll 13 Mars 2019 22:16

Ka përfunduar ndeshja e kthimit e 1/16 të finales në FIBA Europe Cup ndërmjet skuadrës italiane Pallacanestro Varese dhe Z Mobile Prishtinës.

Vendësit kanë shënuar fitore me rezultat 100:84, ndërsa në Prishtinë (një javë më parë) patën fituar 80:77 dhe në këtë mënyrë janë kualifikuar për rrethin e ardhshëm të garave.

Aleksa Avramovic me 18, Ronald Moore (17) dhe Thomas Crubb me 16 pikë ishin më efikasit te Pallacanestro Varese, ndërsa Dardan Berisha me 24 e Divine Myles u dalluan te Z Mobile Prishtina.

Italianët e nisën shumë mirë ndeshjen dhe në çerekun e parë krijuan epërsi prej 12 pikësh (33:21), të cilën e menaxhuan mirë deri në fund, prandaj fitorja e tyre nuk u rrezikua për asnjë moment, megjithëse në disa momente Prishtina ishte skuadër më e mirë.

Pavarësisht humbjes, skuadra jonë e ka shkruar edhe një faqe të historisë së saj dhe basketbollit kosovar, pasi u paraqit shumë mirë në këtë garë prestigjioze.