Panucci: Cana e ka shkruar historinë, nuk do të mund ta shihja te Roma

Futboll 06 Dhjetor 2018 21:51

Trajneri i Kombëtares shqiptare të futbollit, Christian Panucci ka folur për Lorik Canën, në premierën e filmit të mbrojtësit legjendar kuqezi.

Për ish-kapitenin e Shqipërisë, Panucci kishte vetëm fjalë të mira. Nuk mund të mungonte një koment për rivalitetin mes Romës dhe Lazios, me skuadrën e fundit me të cilën ka luajtur Cana, ndërsa Panucci ka mbrojtur ngjyrat e Romës.

“Loriku ka shkruar historinë në futbollin shqiptar. Po bën një punë shumë të mirë me fondacionin e tij. Nuk do ta shikoja dot me fanellën e verdhekuqe (Romën), pasi ka qenë emblemë te Lazio dhe kudo që ka shkuar”, ka thënë Panucci për RTSH Sport.

“Normalisht, do ta doja një lojtar si ai edhe në kombëtaren e tanishme. Koha nuk kthehet pas, prandaj i uroj fat në rrugën që ka nisur”, ka shtuar Panucci.