Panucci krijon pakënaqësi me vendimin e tij për kapitenin

Futboll 20 Mars 2018 15:35

Dy grumbullime radhazi e ka lënë kapitenin pa ftesë dhe trajneri Christian Panucci, bëri me dije dje në konferencën për shtyp, që është i detyruar për të sakrifikuar derisa të gjejë një futbollist tjetër në këtë rol.

Lënia jashtë listës e kapitenit të Kombëtares, Ansi Agolli, është shoqëruar me polemika të shumta, ku shumë individë që janë të lidhur me sportin në Shqipëri, e kanë kritikuar ashpër përzgjedhësin italian, Christian Panucci, për zgjedhjen e tij.

Në këto kushte, për Kombëtaren e Shqipërisë, ka mbetur i zbrazët roli i kapitenit, kurse përzgjedhësi italian  i pyetur dje në konferencë për shtyp lidhur me këtë çështje, përsëriti edhe një herë rregullin strikt të tijin, lidhur me atë se cili lojtarë duhet të vendos shiritin e kapitenit, kur kuqezinjtë do të zbresin në fushën e lojës për miqësoret e tyre gjatë ditëve në vijm.

“Besoj e mbani mend çfarë kam thënë në prezantimin tim. Është lehtësisht e dallueshme se cili do të jetë kapiteni, vetëm duhet të prisni për të mësuar formacionin titullar dhe kapiten do të jetë ai që ka më shumë ndeshje”, deklaroi Panucci.

Prej atyre që janë në këtë grumbullim dhe që janë pretendentë për të marrë shiritin e kapitenit janë Andi Lila, Etrit Berisha, Odise Roshi dhe Mërgim Mavraj.

Andi Lila, u përmend dje nga trajneri italian, se është në Kombëtare për forcën dhe zemrën që jep në fushë, kurse gardiani Etrit Berisha, ishte kapiten i Kombëtares edhe në ndeshjen ndaj Turqisë. Në anën tjetër, mbrojtësi Mërgim Mavraj, në ndeshjen kualifikuese ndaj Maqedonisë, pas daljes së Agollit, ishte ai që mori shiritin e kapitenit.

Megjithatë, duke marrë parasysh se Andi Lila, nuk ka qenë rregullisht pjesë e formacionit startues, pritet që në të ardhmen shiriti i kapitenit do të diskutohet në mes portierit Etrit Berisha dhe mesfushorit Odise Roshi. /Insporti.com

 

-->