Paolo Maldini dhe djali i tij janë infektuar me koronavirus

Futboll 21 Mars 2020 21:04

Drejtori i Milanit, Paolo Maldini dhe djali i tij, Danieli, kanë dalë pozitiv në testet për koronavirus.

Këtë e ka bërë të ditur të shtunën mbrëma klubi i madh italian i futbollit.

“AC Milan konfirmon se Paolo Maldini, drejtori teknik i klubit, ka kuptuar që ishte në kontakt me një person që më pas kishte dalë pozitiv në testet për koronavirus. Më pas edhe vet Paolo shfaqi simptoma të virusit. Ai iu nënshtrua një testimi dje dhe rezultati doli pozitiv. Djali i Paolos, Danieli, sulmues te të rinjtë e Milanit, po ashtu ka dalë pozitiv. Danieli më herët ka stërvitur me seniorët e Milanit”, ka njoftuar klubi italian.

“Paolo dhe Danieli janë mirë dhe tashmë kanë kompletuar dy javë në shtëpi pa pasur kontakt me të tjerët. Ata tashmë do të mbesin në karantinë, ashtu si kërkohet”.

Legjenda e klubit dhe djali i tij janë të parët të prekur me koronavirus te Milani.

Pak më herët të shtunën është bërë e ditur se me koronavirus është infektuar edhe sulmuesi i Juventusit, Paulo Dybala.

Ai është lojtari i tretë i Juventusit i prekur nga pandemia që ka goditur shumë rëndë Italinë.

-->