Paqarada flet pas transferimit në St.Pauli – zbulon klubet tjera të interesuara për shërbimet e tij

Kombëtarja 02 Gusht 2020 14:45

Ylli i Kosovës, Leart Paqarada ka kompletuar transferimin e tij te ST Pauli.

Paqarada në një prononcim ekskluziv për Gazetën Objektiv ka shprehur synimet e tij me klubin e ri, ofertat dhe për tifozët e veçantë të St.Paulit.

“Jam shumë i lumtur me këtë transferim, ishte koha për një ndryshim pas një sezoni të mirë Sandhuasen. Me St.Paulin do të punojmë fortë për t’u rikthyer në Bundesliga pasi një klub si ky e meriton”, deklaroi Paqarada.

Reprezentuesi i Kosovës, Paqarada zbuloi se nuk ishte vetëm St.Pauli që është interesuar për shërbimet e tij. Ai për Gazetën Objektiv zbuloi se Hannover dhe Fortuna Dusseldorf ishin tejet të interesuara, po ashtu edhe klube nga Bundesliga.

“Kisha oferta edhe nga Hannoveri dhe Dusseldorfi, por projekti i St.Paulit më bindi më shumë. Mezi pres të luajë për këtë klub, që ka një tifozëri të zjarrtë, shpresoj shumë që sezonin e ardhshëm tifozët të lejohen në stadiume”, përfundoi ai.

Mbrojtësi shqiptar nga Kosova ka nënshkruar kontratë 3-vjeçare me klubin e ri, që garon në Bundesliga 2.

Ai u transferua te ST Pauli si lojtar i lirë pas skadimit të kontratës me Sandhausenin.

“Me Leart Paqaradën ne kemi nënshkruar një lojtar me përvojë të kategorisë së dytë që është në kulmin e tij. Learti na jep më shumë opsione në krahun e majtë dhe një skuadër më të gjerë”, ka thënë drejtori sportiv i ST Paulit, Andreas Bornemann.

Paqarada për Përfaqësuesen e Kosovës ka zhvilluar 19 ndeshje.

Mbrojtësi, 25 vjeçar, për Sandhausen zhvilloi 32 ndeshje duke shënuar një gol dhe dhuruar pesë asistime. 

-->