Paqueta nuk do t’ia dijë, stërvitet me ekipin dhe i lë të gjithë gojëhapur

Futboll 12 Dhjetor 2018 15:50

Duhet të merrte periudhë pushimi, por Lucas Paqueta nuk do t’ia dijë.

Duke thyer protokollin, braziliani që erdhi nga Flamengo dhe kushtoi 35 milionë euro, një shifër shumë më e ulët se klauzola prej 50 milionë eurosh që ishte fiksuar, ka nisur stërvitjet me kuqezinjtë.

Në ditën e tij të dytë, pas testeve atletike, vizitave dhe kontrolleve mjekësore, ai menjëherë ka zbritur në fushë për t’u stërvitur me shokët e rinj.

Në qendrën sportive të Karnagos, në Milanello, braziliani ka lënë me gojë hapur shokët e skuadrës.

Magji me topin, mënyra e prekjes, por sidomos edhe forma fizike e mrekullueshme. Trajneri Gennaro Gattuso, sipas asaj që shkruan “Gazzetta dello Sport”, i ka bërë komplimente, teksa ai e ka kthyer këtë gjest, duke buzëqeshur.

Ndërkohë, u takua edhe me Maldinin në dhomën e trofeve. Paolo i ka treguar se sa vlen historia kuqezi dhe se çfarë do të thotë të veshësh atë fanellë.

Sakaq, mjekët janë dukur mjaft të kënaqur. Në teste ka qenë bishë e vërtetë, a thua se nuk ka luajtur asnjë ditë këtë vit dhe nuk është i lodhur, i mirëstërvitur, i shpejtë në reagim dhe shpërthyes. Cilësi që ngjasojnë me Ricardo Kaka.