Parashikimi i saktë i Arsene Wenger në vitin 2009 për krijimin e Superligës Evropiane

Futboll 19 Prill 2021 10:54

Trajneri legjendar francez, Arsene Wenger kishte parashikuar krijimin e një Superlige Evropiane në vitin 2009, sa ishte trajner i Arsenalit, raporton Insporti.com.

Wenger në një intervistë të dhënë për gazetën prestigjioze “The Guardian” deklaronte se fitimet nga Liga e Kampionëve nuk do të mjaftojnë për disa klube.

“Ndoshta brenda 10 vjetëve, do të kemi një Ligë Evropiane, parat të cilat vijnë nga Liga e Kampionëve nuk do të jenë të mjaftueshme për disa klube”.

Wenger nga viti 2018 pas 20 vjetëve qëndrimi si trajner i Arsenalit mban pozitën e shefit të zhvillimit të futbollit në gjithë botën.

Krijimi i Superligës Evropiane ka nxitur reagime të mëdha nga ish trajnerët, analistët dhe futbollistët, të cilët janë kundër saj.

Mbrëmë ka reaguar edhe trajneri legjendar skocez, Sir Alex Ferguson i cili është kundër krijimit të një Superlige Evropiane.

Të dielën mbrëma futbolli evropian ka ndryshuar përgjithmonë. Me iniciativën për krijimin e Superligës Evropiane nga 12 klubet më të fuqishme evropiane, garat evropiane të organizuara nga UEFA ka marrë një goditje të fortë.

Mbrëmë është publikuar edhe dokumenti zyrtar i cili shpjegon formatin e Superligës dhe 12 klubet pjesëmarrëse.

Liverpool, Manchester City, Arsenal, Chelsea, Tottenham, FC Barcelona, Real Madrid, Atlético Madrid, Inter Milan, AC Milan dhe Juventus, janë klubet të cilat kanë krijuar Superligën Evropiane.

Megjithatë, krijimi i kësaj Superlige Evropiane është kundërshtuar njëzëri nga FIFA, UEFA dhe ligat e mëdha evropiane, duke i kërcënuar me përjashtim nga të gjitha garat.

Madje, UEFA ka njoftuar se të gjithë futbollistët të cilët marrin pjesë në këtë ligë nuk do të munden të përfaqësojnë më vendin e tyre. /Insporti.com/

-->