Partizani i Beogradit ia mësyn Kosovës, por ndalohet

Basketboll 04 Dhjetor 2018 12:36

Klubi i Basketbollit Partizan kishte paralajmëruar zhvillimin e një ndeshjeje miqësore në Kosovë, gjegjësisht në Leposaviq me një ekip lokal të basketbollit.

Partizani, një nga klubet më të mëdha në Serbi dhe rajon, për këtë ndeshje miqësore nuk kishte kërkuar leje nga Federata e Basketbollit e Kosovës dhe nuk kishte lajmëruar autoritetet për zhvillim të saj, kështu që i është ndaluar hyrja në Kosovë,

Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu, në një deklaratë për Insportin pohoi se “parimisht nuk jemi kundër ndeshjeve miqësore, por ne nuk kemi klub të regjistruar nga Zubin Potoku dhe po ashtu Partizani nuk na ka kontaktuar për këtë ndeshje. Kur ata kanë kërkuar leje nga Policia e Kosovës, ne nuk kemi mundur të lejojmë zhvillimin e ndeshjes, meqë nuk kemi pasur asnjë informatë dhe kemi qenë të injoruar”.

Fetahu rikujtoi se FBK është organizata e vetme përgjegjëse për organizim të ndeshjeve dhe garave të basketbollit më të gjitha nivelet në Kosovë, bazuar në Statutin e vet dhe kompetencat që derivojnë për FBK-në si anëtare e FIBA-s.

Policia e Kosovës ka qenë në kontakt me FBK-në për këtë rast, kurse mediat serbe e kanë përcjellë ekipin e Partizanit në pikën kufitare në Jarinje dhe kanë lajmëruar për bllokadën që i është bërë në hyrje për në Kosovë.