Partizani jashtë Ligës së Evropës, eliminohet nga Sheriff Tiraspol

Futboll 01 Gusht 2019 21:17

Partizani është eliminuar sot nga Liga e Evropës pas barazimit 1-1 kundër Sherifit, në rundin e dytë kualifikues. Të kuqtë zhvilluan ndeshjen më të mirë në arenën evropiane këtë edicion.

Në të parën herë që Partizani luajti me guxim dhe duke sulmuar portën, jo vetëm që gjeti golin e parë nën drejtimin e Lerdës, por për 45 minuta ishte edhe i kualifikuar.

Një gol që ngjalli dyshime i demoralizoi kampionët e Shqipërisë, që ndonëse tentuan me disa mënyra, nuk patën më saktësinë dhe cinizmin e duhur për t’i bërë keq Liridon Latifit me shokë.

Ndeshja e luajtur sot nisi më mirë për skuadrën shqiptare, e cila kaloi në epërsi pas 29 minutave lojë, kur Jasir Asani shënoi për 0:1.

Me këtë rezultat, Partizani do të siguronte të paktën vazhdimet, por shpresat u shuan nga Ousmane N’Diaye, i cili në minutën e 63’ barazoi shifrat në 1:1.

Duhet thënë se Sherifi nuk ishte një kundërshtar i pakalueshëm dhe nëse Partizani nuk do ta kishte mbivlerësuar aq shumë në ndeshjen e parë, ndoshta sot do të ishin të kuqtë ata që do të festonin kualifikimin.