Pas akuzave të Maradonës, reagon FIFA

Futboll 05 Korrik 2018 11:18

Diego Armando Maradona, shpërtheu me akuza ndaj gjyqtarit amerikan Mark Geiger dhe FIFA-s, lidhur me eliminimin e Kolumbisë nga Anglia, pas ekzekutimit të penalltive në 1/8-ën e finales të Botërorit “Rusia 2018”.

Sipas “El Pibe de Oro”, Kolumbia u vodh, pas akordimit të njëmbëdhjetëmetërshit nga gjyqtari Geiger, në një ndërhyrje në Harry Kane dhe Maradona mendoi se “Tre Luanët” morën një penallti të paqenë, ndërsa legjenda argjentinase e futbollit botëror shkoi edhe më tej, duke thënë se shtëpia e futbollit botëror është një institucion i korruptuar.

Pas këtyre shpërthimeve dhe akuzave të Maradonës, FIFA përmes një qëndrimi zyrtar, shpreh zhgënjimin e saj të madh për akuzat e një legjende të futbollit, siç është Maradona.

“Duke iu referuar komenteve të Diego Armando Maradonës, për ndeshjen Kolumbi-Angli, FIFA konteston me forcë kritikat ndaj zyrtarëve të ndeshjes, sjellja e të cilëve ishte pozitive në kuadër të një sfide të ashpër dhe emotive. Këto komente i konsideron të papërshtatshme dhe të pabaza. Ndjejmë shumë keqardhje që lexojmë komente të tilla të thëna nga ai, që ka shkruar historinë e futbollit”, përfundon reagimi i FIFA’s.

Përndryshe Maradona pikërisht nga FIFA, paguhet 10.000 funte për çdo ndeshje që të jetë ambasador në Botërorin e “Rusia 2018”. /Insporti.com

-->