Pas anulimit të kampionatit të basketbollit, ky është mendimi i Ismet Feratit

Basketboll 31 Mars 2020 18:16

Federata e Basketbollit sot ka vendosur që kampionati i sivjetmë të anulohet, ndërsa ky vendim është mirëpritur në opininon.

Ish-basketbollisit i njohur, Ismet Ferati, për Insporti.com ka thënë se ky vendim është i duhuri dhe është marrë në kohën e duhur.

“Mendoj që është shumë normalë që është anuluar kampionati i basketbollit, duke pasur parasysh gjendjen në të cilën gjendet shteti ynë  dhe e gjithë bota. Janë shtyrë shumë ngjarje sportive në botë, siç janë Lojërat Olimpike, Kampionati Evropian në futboll, Wimbledoni. Shumica e ligave në Evropë janë anuluar, vetëm pak prej tyre kanë shpallur kampionin, ekipin që momentalisht është në vendin e parë si për shembull Lituania që e ka shpallur Zalgirisin kampion”, ka thënë Ferati.

“Do të ishte absurde që sportistët të pauzojnë 3-4 muaj dhe që dikush të presë prej tyre që menjëherë të luajnë pasi që dihet që një sportisti i duhen së paku 30 ditë për t’u përgatitur si duhet. Ndoshta është keq, sepse basketbollistët tanë i kaluan 6 muaj në palestra duke luajtur dhe ushtruar, por vendimi për të anuluar kampionatin është i duhuri. Shpresoj që gjithë njerëzit, sportistët ta tejkalojnë këtë situatë të vështirë dhe t’i kthehen jetës normale”, ka shtuar Ferati./Insporti/

-->