Pas bisedës me vëllain e Shaqirit dhe Amir Abrashin, Bajrami vendosi për Shqipërinë

Futboll 10 Mars 2021 11:15

Nedim Bajrami ka gëzuar të gjithë tifozët e Shqipërisë pas vendimit të marrë duke lënë Zvicrën për të përfaqësuar kuqezinjtë. Një talent që është komentuar prej shumë kohësh për shkakun e pritshmërive të larta që janë për të, teksa po shkëlqen në këtë sezon me Empolin.

Për herë të parë vetë mesfushori ka sqaruar edhe zgjedhjen e tij në intervistën ekskluzive e dhënë për “Koha.net”. Bajrami ka thënë se ishte gati për të refuzuar edhe Zvicrën A nëse do të vinte ftesa, pasi dëgjoi zemrën që i rrihte për Shqipërinë.

“Unë kam luajtur në të gjitha grupmoshat për Zvicrën dhe ishte momenti të vendosja se a të shkoja të luaja për Zvicrën U-21 në Evropian apo për ekipin e parë të Shqipërisë. Kam biseduar me menaxherin, Erdin Shaqiri, familjen time dhe në fund të fundit e mora vendimin vetë. E kam dëgjuar zemrën. E ndjeva veten më shumë që të luaja për Shqipërinë dhe në fund e kam marrë këtë vendim. Jam shumë i lumtur që kam zgjedhur të luaj për Shqipërinë.

Kemi biseduar me trajnerin e Zvicrës U-21, por më shumë e kam ndarë mendjen, e kam dëgjuar zemrën dhe u thashë për Shqipërinë. Edhe po të vinte Zvicra A, unë isha i vendosur të luaja për Shqipërinë. Kam pasur kohë dhe kam menduar, por besoj se kam bërë zgjedhjen më të mirë që kam shkuar te Shqipëria, sepse në fund të fundit e ndiej veten shqiptar. Kam bërë hapin e duhur dhe është hap i madh për mua. Jam i ri dhe jam krenar që do ta kem mundësinë të luaj për Shqipërinë. Niveli i Shqipërisë është rritur.

Ka mundësi që të luaj për Shqipërinë këtë muaj. Kam biseduar edhe me Amir Abrashin dhe Arlind Ajetin, me të cilët kam luajtur dhe i njoh goxha mirë edhe nga afër. Më ka mbetur vetëm pasaporta. Unë jam gati të luaj për Shqipërinë”, tha Bajrami. /Insporti.com/

-->