Pas eliminimit nga kupa, Gattuso shpërthen ndaj lojtarëve

Futboll 25 Prill 2019 13:06

Trajneri i Milanit, Gennaro Gattuso është ndarë i pakënaqur me paraqitjen e lojtarëve të tij.
Milani humbi përballë Lazios me rezultatin minimal 0:1 dhe i dha lamtumirën Kupës së Italisë, pikërisht në fazën gjysmëfinale të saj.

Gennaro Gattuso nuk i kurseu kritikat ndaj lojtarëve të tij, duke pranuar se kishin bërë një paraqitje të shëmtuar, por bëri thirrje për reagim të dielën në kampionat, në sfidën që e cilësoi si finale të sezonit.

“Duhet të kesh kthjelltësinë e duhur, për të analizuar se çfarë po ndodh me skuadrën në këto momente”, tha Gattuso.

“Në pjesën e parë ishim të orientuar mirë, por në të dytën Lazio na dominoi totalisht dhe meritoi kalimin në finale. Sot bëmë një ndeshje të shëmtuar, por duhet të mendojmë për ndeshjen e të dielës, që është edhe finalja e sezonit tonë”.

Milani këtë të diel udhëton drejt Torinos për t’u përballur me këtë skuadër e cila po ashtu është në garë për një vend që dërgon në Ligën e Kampionëve.