Pas fitores së madhe, Lampardi mund të kthehet në Chelsea

Futboll 16 Maj 2019 09:51

Frank Lampard raportohet se do ta pasojë Maurizio Sarrin te Chelsea këtë verë.

Legjenda e ‘Bluve’, sipas medias italiane Sport Mediaset, është i preferuari i klubit për ta zëvendësuar italianin që nuk ka kënaqur krerët edhe pse siguroi pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve.

Ish-mesfushori anglez ka nisur karrierën si trajner verën e shkuar te Derby County dhe mbrëmë e kualifikoi ekipin në finale të play-offit të Championshipit anglez.

Në anën tjetër, Sarri thuhet se do të kalojë në Serie A, ku kërkohet nga disa klube.

Pronari i Chelseat, manjati rus Abramovich, raportohet se ka vendosur të përballojë faturën financiare të shkarkimit të Sarrit, duke sakrifikuar italianin për shkak të problemeve taktike dhe përplasjes me disa lojtarë kryesorë.

Lampard nuk ka shumë eksperiencë si trajner, por ka luajtur me për 13 vjet me londinezët – duke shënuar 211 gola në 648 ndeshje në total.

Ai me Chelsean ka fituar tre tituj të Premierligës, katër trofe të FA Cup, një Champions League dhe një titull të Europa League.

40-vjeçari konsiderohet një legjendë mes tifozëve që pikërisht në epokën e tij kanë shijuar dhe sukseset më të mëdha.