Pas Ligës së Kampionëve, është radha e gjysmëfinaleve të Ligës së Evropës

Futboll 02 Maj 2019 13:18

Pas Ligës së Kampionëve sonte është radha për gjysmëfinalet e para të Ligës së Evropës.

Sonte do të zhvillohen dy sfidat e para gjysmëfinale me dy favoritet e mëdha Arsenalin dhe Chelsean që do të tentojnë të bëjnë hapin e madh drejt finales së këtij kompeticioni që do të zhvillohet në Baku.

Në Emirates Stadium dhe në Commerzbank Arena spektakli pritet të jetë i garantuar pasi si të 4-ta skuadrat e dëshirojnë me çdo kusht finalen e Ligës së Evropës.

Arsenal-Valencia mes dy emrave të mëdhenj të futbollit evropian ku skuadra angleze për shkak se ka në gjirin e saj edhe një trajner strateg si Unai Emery për këtë lloj kompeticioni, është në avantazh sidomos në ndeshjen e parë që Topçinjtë e luajnë në shtëpi.

Gjithsesi mungesat e shumta që ka Arsenali në këtë duel për shkak lëndimesh ja vështirësojnë shumë punën trajneri Unai Emery. Ramsey, Bellerin, Holding, Welbeck dhe Denis Suarez nuk janë të gatshëm ndërkohë që në dyshim është edhe Nacho Monreal.

Po në orën 21:00 në Gjermani, Chelsea do të ketë pengesën e parë të vështirë në këtë edicion të Ligës së Evropës.

Përballë një Frankfurti që do të ketë mbështetjen e zjarrtë të tifozëve gjermanë pasi është skuadra e vetme që përfaqëson Bundesligën në kompeticionet evropiane, Chelsea nuk pritet ta ketë aspak të lehtë.

Kujtojmë se fituesi i Ligës së Evropës siguron direkt kualifikimin për në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm, pa marrë parasysh pozicionimin që do ta kenë në ligat përkatëse.