Pas NBA, James Harden pjesë edhe në futboll

Basketboll 19 Korrik 2019 11:03

James Harden mund të jetë njëri ndër basketbollistët më të vlerësuar në ligën më të famshme të basketbollit në botë, NBA, por tani ai ka lidhje edhe Major League Soccer (MLS), nivelin e parë të futbollit në SHBA.

Ylli i Houston Rockets ka blerë aksione të klubit Houston Dynamo në MLS dhe Houston Dash të Ligës Kombëtare të Futbollit së Vajzave.

Tani, ai është njëri ndër pronarët në të dyja klubet.

Harden i bashkohet atletit tjetër të famshëm, Oscar De La Hoya, në grupin e pronarëve të këtyre klubeve, që kryesohet nga Gabriel Brener.

“Jam shumë i emocionuar që po i bashkohet grupit të pronësisë së Houston Dynamos dhe Houston Dash dhe jam krenar që jam pjesë e një klubi me histori kaq të jashtëzakonshme dhe një të ardhme të mrekullueshme”, u shpreh Harden në një konferencë për shtyp.

“Houston është shtëpia ime tani dhe unë e shoh këtë si mënyrë për të investuar në qytetin tim dhe njëkohësisht për ta zgjeruar interesimin tim në biznes. Futbolli në përgjithësi, por veçanërisht MLS, ka shpërthyer në SHBA gjatë jetës time”.

“Kam qenë një tifoz i madh i futbollit për shumë vite tani dhe unë e di se Houstoni e ka një grup të madh të tifozëve të futbollit, kështu që për mua ky ishte një vendim i lehtë për t’u marrë kur më erdhi mundësia”.

Kjo nuk është hera e parë që 29-vjeçari investon në biznese tjera që s’kanë të bëjnë me basketbollin, përfshirë për pijet sportive BodyArmor dhe kompaninë që shet produkte higjienike për sportistë, Art of Sport.

-->