Pas ndeshjes me Liverpoolin, autobusi i Barcelonës e la Messin në ‘Anfield’

Futboll 08 Maj 2019 11:35

Pasi e përjetoi një tronditje të thellë në “Anfield”, Lionel Messi nuk e pati mundësinë të largohet nga stadiumi i Liverpoolit me bashkëlojtarët e tij të Barcelonës, pasi që ai u ndal për testet kundër dopingut.

Këtë sezon, Lionel Messi shpresonte se do të kthehet në kulmin e piramidës së futbollit, duke e fituar tripletën me Barcelonën.

Por, kjo ëndërr ka marrë fund tani, pasi që Barcelona dështoi në testin kundër Liverpoolit.

Gjërat u përkeqësuan edhe më shumë për argjentinasin, i cili u la në Anfield nga autobusi i ekipit të Barcelonës. Sipas emisionit televiziv spanjoll, El Chiringuito, Messi u mbajt në Liverpool për t’i kryer testet kundër dopingut.

Barcelona nuk ishte në humor të mirë për ta pritur argjentinasin dhe për këtë arsye lojtarët e tjerë u larguan menjëherë drejt aeroportit, ndërsa ylli i skuadrës u detyrua të bëjë plane të tjera për t’u kthyer në Barcelonë.

Se sa i zhgënjyer ishte Messi me rezultatin e ndeshjes ishte e vërejtshme edhe nga fytyra e tij, përderisa po kalonte rreth gazetarëve.

Lojtari që i bën testet kundër dopingut zgjidhet në mënyrë rastësore nga të dy skuadrat që përballen në ndonjë ndeshje.