Pas triumfit në Kosovë, Pranvera synon sukses edhe në gara ndërkombëtare

FASK 16 Mars 2021 15:11

Pranvera Xhaferi është ndër garueset më atraktive në auto sportin e Kosovës. Në vitin 2020, FASK për herë të parë organizoi kampionat në disiplinën drag për konkurrencën e femrave, ndërsa më e suksesshmja doli Pranvera, për të cilën pasioni për veturën dhe shpejtësinë është i madh.

“Sigurisht që jam e kënaqur që në kampionatin e parë në drag për femra arrita të shpallem kampione. Për të arritur deri këtu, sfida nuk ishte aspak e lehtë, pasi po garonim për herë të parë në këtë disiplinë, ndërsa edhe konkurrenca ishte mjaft e fortë. Megjithatë, gjatë gjithë kampionatit kam garuar me përkushtimin më të madh, pasi jam e pasionuar pas shpejtësisë dhe jam krenare që në fund u rendita në pozitën e parë”, ka thënë Pranvera Xhaferi.

Mirëpo, duket se ajo nuk do të mjaftohet me kaq, pasi synon që sukses të arrijë edhe në arenën ndërkombëtare.

No description available.

“Pas suksesit në rrafshin vendor, dëshiroj të sfidohem edhe në gara ndërkombëtare. E di që do të jetë një sfidë serioze, ku konkurrenca do të jetë shumë e fortë, por edhe aspekti material më i kushtueshëm. Sidoqoftë, rezultatet që i kam arritur në garat vendore më bëjnë optimiste që edhe në ato ndërkombëtare, së paku në disa prej tyre të kem rezultate kulmore”, është shprehur optimiste “Pranki”.

Në fund, ajo e ka edhe një mesazh për femrat që e duan auto sportin dhe shpejtësinë.

“U bëj apel të gjitha femrave që kanë mundësi të marrin pjesë në gara, të mos hezitojnë, por të paraqiten dhe të shijojnë ndjenjën e garës, e cila njëkohësisht shoqërohet edhe me krenari”, ka thënë në fund Pranvera Xhaferi, e cila beson që në kampionatin e ri të arrijë rezultate edhe më të mira.

No description available.

-->