Pasi përballoi “shkatërrimin”, Latifi i gatshëm për të ecur para

Sporte tjera 09 Gusht 2019 09:59

“Shkatërrues” e ka vlerësuar Ilir Latifi vendimin për të hequr dorë nga lufta me Volkan Oezdemir, dy ditë para se të mbahej ajo.

Shqiptari i vetëm në UFC, serinë më të madhe të Arteve Marciale të Përziera, është dashur të luftojë me Oezdemirin më 1 qershor, por Latifi e anuloi atë për shkak të një lëndimi në shpinë. Kjo përballje më pas u caktua për 3 gusht, por u shty sërish pas telasheve të Oezdemirit me vizë. Dhe përfundimisht u caktua për 10 gusht, kur UFC-ja organizon mbrëmje në Montevideo të Uruguait. Përballja e Latifit me Oezdemirin pritet të jetë prej më të fortave të mbrëmjes. Janë paraparë 14 luftëra gjithsej, shkruan sot “Koha Ditore”.

“Ishte shkatërruese”, ka thënë Latifi për vendimin për të anuluar fillimisht luftën me Oezdemirin. “Ishte vështirë pas gjithë atyre muajve përgatitjeve, kështu që ishte shkatërruese. Ishte vendim shumë, shumë i vështirë, por i duhur”.

Latifi synon të fitojë rastin të luftojë për titull të kampionit të UFC-së, në kategorinë gjysmë të rëndë. Për këtë i duhet fitorja të shtunën. Aktualisht Latifi është i nënti në ranglistë, ndërsa Oezdemir i shtati. Me fitore luftëtari shqiptar që është i lindur në Suedi, do të ngrihej për disa pozita dhe do t’i afrohej luftës për titull.

36-vjeçari nuk ka luftuar ende këtë vit. Së fundi luftoi më 29 dhjetor, kur pësoi nga Corey Anderson. Në UFC ka katër humbje e shtatë fitore.

“E di që Oezdemir vjen i përgatitur. Është luftë e rëndësishme edhe për të. Ai është i uritur dhe do të vendosë çdo gjë në lojë. Unë jam i përgatitur dhe do të jetë luftë”, ka thënë Latifi. Latifi e Oezdemir kanë stërvitur së bashku në të kaluarën.

“Është gjithnjë më vështirë të luftosh me dikë që e njeh si shok apo partner të stërvitjes. Por të dy jemi sportistë dhe nuk është asgjë personale. Është vetëm punë. Të dy jemi të përgatitur dhe më i miri do të fitojë”.