Pasi u tërhoq nga futbolli, Manchester City ia ofron këtë pozitë Agueros

Futboll 18 Dhjetor 2021 23:23

Sergio Agueros do t’i ofrohet detyra e ambasadorit global te Manchester City, pasi ai lajmëroi tërheqjen nga futbolli.

Argjentinasi lajmëroi përpara mediave mes lotësh se ishte i detyruar që të mos luante më, për shkak të shqetësimeve në zemër. Por për të, është gati që të fillojë një karrierë e re. Brenda një jave, 33-vjeçari ka marrë katër oferta pune.

Gazeta spanjolle “Marca” raporton se atij iu propozua që të bëhej pjesë e stafit të kombëtares argjentinase. Gjithashtu, një tjetër opsion është që të marrë pozicion drejtues në një nga kombëtaret e moshave. Por nëse Aguero dëshiron të qëndrojë larg fushës, mund të zgjedhë që të nisë një karrierë si analist sportiv.

33-vjeçari është një ikonë te Mançester Siti, ku në 10 vite ka arritur të fitojë trofe të rëndësishëm dhe është golashënuesi më i mirë i klubit në histori, me 260 gola në 390 ndeshje. Ndërkohë që në Premier Ligë mban vendin e katërt me 184 gola të shënuar.

-->