Peja shndrit ndaj Yllit!!!

Superliga 15 Prill 2018 18:31

Peja e ka mposhtur Golden Eagle Yllin me rezultat 93:88, epilog ky jashtëzakonisht i befasishëm, duke marrë parasysh ecurinë e deritashme të dy skuadrave, pozitën në tabelë dhe ajo çka është më e rëndësishme, cilësinë që e posedojnë. Me këtë fitore, Peja i ka ngjallur dukshëm shpresat për siguruar ekzistencën, pasi në javën e fundit është mysafire e Kerasan Prishtinës, ndërsa Borea mysafire e Golden Eagle Yllit. Dy skuadrat pejane i kanë nga 34 pikë.

Beq Kovaqi me 33 e Taulant Dupa me 21 pikë ishin më të merituarit për fitoren e Pejës, në radhët e së cilës pikë dyshifrore patën edhe Rron Ukaj (15) e Rron Grapci (13). Ndërsa, Michael Harmon me 22, Martin Smith (19) dhe Alexis Wagmene me 15 pikë u dalluan te skuadra nga Theranda. Derisa Peja i ka shtuar gjasat për mbijetesë, Golden Eagle Ylli është pajtuar me pozitën e katërt nga e cila do të startojë në play-off.