Penza e Bashkimi në prag të finales

Basketboll 19 Prill 2018 20:49

Penza e Pejës dhe Bashkimi i Prizrenit me shumë gjasë do të jenë skuadrat finaliste të play-off-it të sivjetmë në konkurrencën e femrave të basketbollit kosovar. Penza në palestrën “Karagaçi” sot ka shënuar fitore ndaj Trepçës me rezultat 57:45, ndërsa shpreson që edhe në Mitrovicë të shënojë fitore dhe të sigurojë kualifikimin në finale.

Në ndeshjen tjetër, e cila u zhvillua në kryeqytet, u takuan rivalët e vjetër ProBet Prishtina dhe Bashkimi. Prizrenaset janë treguar shumë më të mira dhe kanë shënuar fitore bindëse me shifrat 102:72. Në finale renditen skuadrat që i shënojnë dy fitore, prandaj Penza dhe Bashkimi janë shumë afër qëllimit, ndërsa pas një kohe të gjatë, jashtë finales duket se do të jetë ProBet Prishtina.