Për çdo gol merr 1,000 euro, kjo është kontrata marramendëse e sulmuesit të momentit

Futboll 28 Prill 2019 10:10

Sulmuesi i Kukësit, Rexhinaldo, është një ndër lojtarët më të mirë në pozicionin e tij dhe normalisht për të ardhmen e tij flitet shumë.

Ai ka shënuar plot 10 gola në Superligë dhe është kandidat për “Këpucën e Artë” në kampionat.

Kontrata e tij skadon në fundin e majit të këtij viti dhe deri tani asgjë nuk bëhet e ditur për të ardhmen e tij.

Panorama Sport mëson se Kukësi dëshiron ta mbajë sulmuesin, por është ky i fundit që do të kërkojë kushte të tjera financiare nëse qëndron.

Për këtë arsye, vetë 28-vjeçari ka dashur të vendosë pikat mbi “i” dhe me anë të një postimi në “Instagram” ka sqaruar: “Sqarim. Mos spekuloni për të ardhmen time, sepse vetëm Perëndia e di se çfarë do të ndodhë. Kontrata ime me Kukësin përfundon më 31 maj 2019, që është në fund të muajit të ardhshëm. Prandaj, unë do të vazhdoj ta lë jetën time në fushë, siç kam bërë gjithmonë deri në fund. Faleminderit”, ka shkruar sulmuesi i Kukësit.

Rexhinaldo paguhet 4 mijë euro në muaj neto, një mijë euro për çdo gol të shënuar e 500 euro për çdo asist. Plus dhe 10 mijë euro paradhënie. Rexhinaldo në mesjavë u kthye edhe një herë tjetër në protagonist te Kukësi, duke shënuar golin e avantazhit në takimin gjysmëfinal që Kukësi fitoi përballë Skënderbeut me rezultatin 2-1. Rexhinaldo ishte një nga afrimet e goditura të Kukësit në merkaton e verës. Sulmuesi ia ka dalë të shënojë në kampionat dhjetë gola këtë sezon dhe dëshira është e madhe që në fund të shpallet golashënuesi më i mirë i Kategorisë Superiore.

-->