Për këtë skuadër Muriqi refuzon Fenerbahcen, Toulousen, Betisin, Lazion…

Kombëtarja 20 Qershor 2019 15:19

Vedat Muriqi ka zhvilluar një kampionat spektakolar këtë sezon me fanellën e Rizesporit në kampionatin turk. Sulmuesi i Përfaqësueses së Kosovës, ishte njeriu që udhëhoqi skuadrën në repartin e avancuar teksa falë 17 golave të realizuar, e mbylli Superligën turke si golashënuesi i dytë më i mirë. Ndërkaq, paraqitjes së tij i shtoi edhe 8 asistime.

Ndërkohë, në adresë të Muriqit kanë mbërritur plot oferta dhe futbollisti do të largohet për t’u rritur edhe më shumë në karrierë. Por siç raportohet nga mediet turke, pavarësisht interesimit të Betisit në kampionatin spanjoll apo Toulouses në kampionatin francez, Muriqi ka vendosur të qëndrojë në Turqi, ku ndihet plotësisht i përshtatur, teksa ka oferta nga dy klubet gjigante si Fenerbahce dhe Galatasaray.

Në fakt, 25-vjeçari dukej sikur e kishte mbyllur marrëveshjen me Fenerbahcen, por ndërhyrja e kampionëve të Galatasarayt duken se ka ndryshuar mendimin e sulmuesit. Dhe nga Turqia, bëhet e ditur se Muriqi do të zgjedhë Galatasarayn, teksa do të ketë mundësinë për t’u aktivizuar edhe në Evropë.