Për një gol pëson Kosova U19 ndaj Maqedonisë së Veriut

Kombëtarja 20 Korrik 2019 20:20

Epërsia 7:0 nuk doli të jetë e mjaftueshme për Kombëtaren e Kosovës U19 në konkurrencën e femrave, për të fituar ndeshjen ndaj Maqedonisë së Veriut.

Në Klaipeda të Lituanisë, të shtunën vashat tona humbën me rezultat 31:30 në ndeshjen për plasman përfundimtar.

Hendbollistet e nisën shumë mirë ndeshjen dhe kishin epërsi prej 7:0 e më pas edhe 9:1.

Por në minutën e 27-të rezultati u barazua në 11:11 e më pas lojtaret e Maqedonisë Veriore kaluan në epërsi.

Pjesa e parë përfundoi me rezultat 14:12 për Maqedoninë e Veriut. Në të dytën kosovaret ia dolën ta barazojnë rezultatin tri herë, por më pas mbetën prapa me rezultat për dy-tri gola. Përkundër përpjekjeve maksimale të vajzave tona, ndeshja u humb me rezultat 31:30.

Rina Rexhepi ishte e pandalshme në sulm duke shënuar 18 gola.

Veronika Kastrati shënoi pesë gola, Vlera Kelmendi katër gola, Sara Rexhepi dy e Elisa Mulaj një. Me formë të mirë në momente është dalluar edhe portierja Leonita Gashi.

Kosova e përmbyllë evropianin të dielën (nesër) paradite kur luan me Gjeorgjinë për vend të shtatë.