Për sportin dhe mediat

Opinione 01 Shkurt 2018 09:14

Arlind Grantolli

Personalisht, shumë i gëzohem rritjes së numrit të kolegëve dhe entuziazmit që ekziston ndër të rinj për zanatin tonë. Në anën tjetër, e shoh të domosdoshme që SHGSK, pronarët e mediave dhe federatat duhet të shtojnë bashkëpunimin me qëllim të vendosjes së një marrëdhënieje korrekte dhe me qëllim që ne – gazetarët, të jemi në nivelin më të lartë të detyrës në raport me sportin dhe të sillemi gjithnjë në mënyrë profesionale.

 

Shoqata e Gazetarëve Sportivë të Kosovës e përfundoi vitin 2017 më dy aktivitete. Fillimisht, në bashkëpunim e Komitetin Olimpik të Kosovës organizuam konferencën me temën “Sporti dhe Media” dhe pas disa ditësh nderuam kolegët tanë për punën e tyre duke nderuar edhe dy doajenë të profesionit tonë Ali Shalën dhe Burim Hatipin.

Në konferencën për sportin dhe mediat, më shumë se gjithçka tjetër, ra në sy nevoja që e kemi që më shumë të takohemi dhe të flasim për zhvillimet sportiv dhe raportin e mediave me sportin.

Viteve të fundit kemi qenë dëshmitarë të dy fenomeneve që e kanë dinamizuar shumë punën tonë. Fillimisht kemi qenë dëshmitarë të anëtarësimit të federatave tona sportive në federatat përkatëse ndërkombëtare dhe pjesëmarrjen e Kosovës në gara ndërkombëtare, përfshi Lojërat Olimpike, ku fituam medalje të artë, për çka Majlinda Kelmendit duhet ti përkulemi të gjithë.

Fenomeni i dytë që e ka dinamizuar punën tonë është liberalizimi i tregut medial, rritja e numrit të mediave, sidomos atyre online, shtimi i numrit të gazetarëve të sportit, dhe shtimi i lajmeve dhe raportimeve nga ngjarjet e sportit.

Personalisht, shumë i gëzohem rritjes së numrit të kolegëve dhe entuziazmit që ekziston ndër të rinj për zanatin tonë. Në anën tjetër, e shoh të domosdoshme që SHGSK, pronarët e mediave dhe federatat duhet të shtojnë bashkëpunimin me qëllim të vendosjes së një marrëdhënieje korrekte dhe me qëllim që ne – gazetarët, të jemi në nivelin më të lartë të detyrës në raport me sportin dhe të sillemi gjithnjë në mënyrë profesionale.

Në këtë drejtim do të na duhet përkrahja e njerëzve që udhëheqin mediat ku ne punojmë, për ti dhënë sportit vendin që e meriton, gjë që fundja, tashmë lehtë vërtetohet sepse klikimet dhe shikimet janë të matshme.

Më pas na duhet ndihma e federatave, që për obligim e kanë të na sigurojnë kushte të mira për punë në arena sportive, të na furnizojnë me statistika dhe informata dhe të na lehtësojnë qasjen tek sportistët, klubet dhe vetë zyrat e tyre.

Me përparimin e teknologjisë, puna e jonë po lehtësohet dukshëm dhe shpejtësia e raportimit po rritet. Mirëpo, njëkohësisht tash nga gazetari po kërkohet që të jetë pak reporter, pak xhirues, pak inxhinier i lidhjeve, duke mos sakrifikuar asnjëherë cilësinë e raportimit dhe detyrën e vet primare.

Shoqata e Gazetarëve Sportivë të Kosovës, pas anëtarësimit në AIPS është duke bërë përpjekje që të mbajë hapin me trendet bashkëkohore botërore në gazetarinë sportive dhe të informojë anëtarësinë e vet me këto trende.

Sivjet po ashtu presim që përfaqësuesja e jonë e futbollit të fillojë më në fund ti zhvillojë ndeshjet e veta në Kosovë. Po ashtu e kemi të konfirmuar se Kampionati Evropian U18 në basketboll, edhe pse Divizioni C, do të organizohet në Prishtinë, kurse federata tjera po ashtu po e shtojnë numrin e ngjarjeve ndërkombëtare që po mbahen në Kosovë.

Përveç për sportistë dhe federata, këto ngjarje paraqesin rast të shkëlqyeshëm edhe për gazetarët që nëpërmjet kontakteve me kolegë nga vende të ndryshme, por edhe lojtarë, trajnerë e zyrtarë, ta pasurojnë përvojën e tyre dhe të ngritin edhe më shumë standardet e punës profesionale.

Në kuadër të zhvillimit të hovshëm të mediave online dhe gazetarisë sportive, më gëzon shumë dalja në publik, ose hyrja në treg, sido që ta perceptoni, e portalit Insporti.

Kam respekt për themeluesit, kurse gazetarët i kam kolegë të moçëm. Mendoj që shumë mirë e kanë vërejtur që në tregun tonë medial ka pasur nevoje për një portal të tillë dhe jam i sigurt që këtë hapësirë do ta mbushin shumë shpejt me punën dhe profesionalizmin e tyre.

Insportit i dëshiroj suksese, kurse të gjithë kolegët tjerë, me nisma ose ide të ngjashme, i inkurajoj që të angazhohen dhe punojnë, duke qenë i bindur se rritja e konkurrencës do të rrisë edhe cilësinë e punës sonë.