Perezi ka diçka për tifozët e Real Madridit rreth Hazardit

Futboll 28 Maj 2019 09:29

Presidenti i Real Madridit, Florentino Perez, po shpreson që ylli i Chelseat, Eden Hazard, t’i bashkohet gjigantit të La Ligës për sezonin e ardhshëm.

Hazardi është lidhur vazhdimisht me një kalim te Reali, ndërsa reprezentuesi belg thuhet se tani është i gatshëm të largohet nga “Blutë”. Mësohet se Chelsea për 28-vjeçarin po kërkon 130 milionë euro.

Perezi gjatë një interviste për El Transistor, ka thënë se nuk mund të flasë për Hazardin, pasi të mërkurën ai luan me Chelsean në finalen e Ligës së Evropës ndaj Arsenalit.

“Si mund të flasim për një klub që po luan në finale? Jemi duke u përpjekur për shumë vjet që ta bëjmë Hazardin lojtar të Realit, por s’e kemi arritur akoma. Me të vërtetë do të pëlqeja që Hazardi të vijë te Reali dhe shpresoj të ndodhë. Është ndër më të mirët”, ka thënë Perez.

Chelsea e Arsenali ndeshen këtë të mërkurë (29 maj), në finalen e Ligës së Evropës.

Kjo ndeshje me shumë gjasë do të jetë e fundit për belgun me klubin londinez.