Përfaqësuesja e Kosovës niset drejt Italisë me shpresën për rezultate të mira

Kombëtarja 08 Janar 2020 17:36

Pas rezultateve historike të vitit të kaluar, fitores ndaj Izraelit, barazimit me shije të fitores ndaj Polonisë si dhe paraqitjes së fuqishme ndaj Gjermanisë, Përfaqësuesja e Kosovës udhëton për në Benevento të Italisë për të bërë hapin tjetër para.

Prej të premtes deri të dielën, Kosova i luan ndeshjet e fazës së parë kualifikuese për Botërorin 2021 (me Italinë, Rumaninë e Gjeorgjinë).

Kualifikimet e kaluara për Botëror nuk ishin të suksesshme për Kosovën. Në janar të vitit 2018, Kosova luajti në Portugali, ndërsa i humbi të tri ndeshjet, me Poloninë, Portugalinë e Qipron.

Por prej atëherë Përfaqësuesja jonë ka ecur shumë përpara. Është rritur shumë konkurrenca në ekip dhe rrjedhimisht është rritur cilësia.

Rezultatet e dëshmojnë këtë. Në Portugali, Kosova kishte pësuar 30:19 ndaj Polonisë. Më 12 qershor të vitit të kaluar, Polonia me shumë fat arriti barazim në Prishtinë (23:23) me gol të shënuar në sekondën e fundit, ndonëse djemtë tanë ishin vazhdimisht në epërsi.

Kosova ishte paraqitur edhe në kualifikimet për Botërorin e vitit 2017. Kishte humbur të gjitha gjashtë ndeshjet, por në ndeshjet në shtëpi ishte mbajtur thuajse deri në fund me Lituaninë, Bosnjë-Hercegovinën dhe Sllovakinë.

Kosova tani synon fitoret e para në kualifikimet për Botëror. Për më tepër synon të kalojë plotësisht grupin.

“Synimi në Itali është të kalojmë në fazën e dytë të kualifikimeve. Kemi ekip kualitativ që është në ngritje të vazhdueshme. Më nuk duhet të kënaqemi vetëm me paraqitje dinjitoze. Duhet të jemi ambiciozë, të luftojmë të barabartë me çdo ekip dhe të besojmë në aftësitë tona”, thotë përzgjedhësi Taip Ramadani, që vlerësohet lartë për punën që po bën me Përfaqësuesen tonë.

Hendbollistët tanë edhe të mërkurën (sot) ushtruan në Prishtinë. Të enjten në mëngjes është udhëtimi për në Benevento të Italisë, ku kombëtarja zhvillon edhe një stërvitje para se të nisë me ndeshje.

-->