Përfaqësuesja e Kosovës U19 grumbullohet pas 15 muajve

Futboll 13 Qershor 2021 23:13

Përfaqësuesja U19 e Kosovës në futboll është grumbulluar për herë të parë pas 15 muajshë. Kjo periudhë e gjatë pa aktivitet ndodhi për shkak të pandemisë, thonë përgjegjësit.

“Dardanët” e rinj po përgatiten në Qendrën Nacionale në Hajvali, për dy ndeshjet miqësore që do t’i zhvillojnë kundër Shqipërisë.

Shumica e futbollistëve të ftuar janë nga klubet e vendit. Përzgjedhësi Ramiz Krasniqi e pranon se nuk ka njohuri për lojtarët e ftuar. Ai thekson se futbollistët janë propozuar nga trajnerët e tyre.

“Jemi grumbulluar pas 15 muajve ndalesë. Është grumbullimi i dytë brenda dhjetë ditëve. Është mëkat i madh, pasi e kemi pasur një gjeneratë fantastike të lindur në vitin 2002, lojtarë vendorë dhe lojtarë nga jashtë. Futbollistët nuk i kemi përzgjedhur ne, por janë përzgjedhur përmes trajnerëve të tyre, ku u kemi kërkuar që të na dërgojnë nga tre futbollistë më cilësorë që i kanë në ekip, duke filluar nga pozita e parë në tabelë e deri te vendi i nëntë, por në ndonjë rast edhe ndonjë lojtar të talentuar, edhe nëse ekipi është më poshtë se vendi i nëntë”, tha Krasniqi.

Ai pohon se kjo gjeneratë është më e dobët sesa gjeneratat e tjera më të cilat ka punuar dhe ka pasur sukses.

“Është për të ardhur keq, sepse është një gjeneratë jo e pritshme, në kuptimin që më herët kemi pasur gjenerata me të vërtetë mjaft të mira dhe të talentuara, por nuk mund të kesh atë fat çdo vit. Kjo gjeneratë, nëse e krahasojmë me të tjerat, është për një nuancë ose një nivel më e dobët. Por, ne po mundohemi që përmes këtyre seleksionimeve ta bëjmë më të mirën”, u shpreh Krasniqi.

Për herë të parë me Kosovën U19 janë grumbulluar Egzon Fazliu që luan te Drenica dhe Muhamet Llapashtica i Llapit. Të dy ndihen krenarë që mund ta ndihmojnë përfaqësuesen e vendit të tyre.

“Përgatitjet po shkojnë shumë mirë. Nuk është hera e parë që marr ftesën nga Kosova, pasi kam qenë edhe pjesë e U15 dhe U16. Tani përgatitjet po shkojnë shumë mirë dhe do ta japim më të mirën”, tha Egzon Fazliu.

“Përgatitjet po shkojnë shumë mirë. Të ftohesh nga kombëtarja është një ndjesi shumë e mirë. Sigurisht që motivi është shumë i madh dhe besoj që do të kemi sukses”, theksoi Muhamet Llapashtica.

Prej pak lojtarëve që bëjnë karrierë jashtë Kosovës e që janë ftuar për grumbullimin treditor të qershorit është Engjull Samadraxha. 17-vjeçari luan në mesfushë dhe në mbrojtje. Ai është pjesë e grupmoshës U17 të Venezias.

“Përgatitjet po shkojnë shumë mirë. Jam shumë i lumtur që jam ftuar. Unë kam lindur në Itali dhe luaj atje, por e ndiej veten si kosovar, pasi prindërit i kam nga Kosova.

Ekipi dhe shtabi teknik më kanë pritur shumë mirë dhe do ta jap më të mirën për të arritur rezultate pozitive me Kosovën”, deklaroi Samadraxha.

Kosova U19 do t’i zhvillojë dy ndeshje miqësore me Shqipërinë U19, më 16 dhe 18 qershor në “Elbasan Arena”.

Ndërkohë, në muajin tetor do të marrë pjesë në fazën parakualifikuese të Kampionatit Evropian të vitit 2022. “Dardanët” bëjnë pjesë në Grupin e dhjetë kualifikues së bashku me Norvegjinë, Uellsin dhe Gjeorgjinë.

Suksesin më të madh Kosova U19 e kishte arritur në vitin 2018, ku kishte shkuar deri në Raundin Elit.

-->