Përfundoi gara – raporti i plotë dhe detajet

Formula 1 25 Mars 2018 07:48

Gara për Shpërblimin e Madh të Australisë u zhvillua në shtegun Albert Park në Melburn duke shënuar kështu fillimin e sezonit 2018 në Formula 1.

Shtegu rrugor, i përbërë nga pjesë të ndryshme të asfaltit që ëhstë në përdorim publik në metropolin australian, me gjatësi prej 5,3 km është tradicionalisht arena e parë e sezonit për vozitësit më të mirë në botë.

Sezoni i sivjetmë do të mbahet në mend shumë për ndryshimet në rregulla që kanë “deformuar” edhe dukjen e bolidëve dhe e kanë komplikuar pak jetën e vozitësve.

Sidoqoftë, në garën në Melburn, ajo që është e ngjashme me sezonin e kaluar ishte se për vendin e parë u zhvillua duel ndërmjet Mercedesit dhe Ferrarit, gjegjësisht midis Lewis Hamiltonit dhe Sebastian Vettelit.

Lewis Hamilton kishte pole position, e nisi këtë garë nga pozita e parë, mirëpo, një zhvillim shumë i papritur mund ta përcaktojë fituesin e saj dhe radhitjen e vozitësve.

Hamilton e mbrojti pozitën e parë dhe pas kthesës së parë dhe aty e tutje për më shumë se 2 0 rrathë ishte i paprekshëm dhe udhëhiqte në mënyrë komode para dyshes së Ferrarit Sebastian Vettel dhe Kimi Raikkonen dhe Hamilton e Raikkonen kishin kryer pit stopet e tyre para rrethit të 26-të

Mirëpo, në rrethin e 26-të Romain Grosjean e përfudnoi garën pas një prishjeje mekanike në bolidin e tij. Vozitësi i Haas nuk mundi ta “parkonte” bolidin diku jashtë shtegut, por e la atë në pozitë shumë të papërshtatshme duke i detyruar organizatorët që të vendosin regjimin VSC – Regjimin Virtual të Automobilit të  Sigurisë. Pikërisht në këtë kohë, kur Hamilton nuk mund të rriste epërsinë e tij ndaj rivalëve, Vettel, i cili kishte marrë pozitën e parë në shteg pas pit stopit të Hamiltonit, e kreu pit stopin etij dhe e ruajti pozitën e parë, duke u kthyer në shteg para britanikut dhe duke e shokuar atë.

Ky veprim i shkëlqyeshëm taktik i Ferrarit iu dha atyre epërsinë në shteg, të cilën e patën shumë të vështirë ta mbajnë kur Hamilton ishte duke e ndjekur Vettelin vazhdimisht.

Hamilton kishte momentet kur ishte shumë më i shpejtë dhe dukej se mund ta tejkalonte Vettelin edhe në shteg, por pati probleme me temperaturë të lartë të motorit dhe inxhinierët i kërkuan që të menaxhojë situatën.

Kjo bëri që Vettel të konsolidohej në vendin e parë, kurse në tre rrathët e fundit të garës, Hamiton kishte probleme edhe me gomat e tij të pasme, duke mos qenë në gjendje që të shkojë deri në maksimum.

Kjo bëri që Vettel ta fitojë garën e parë të sezonit, në vikendin kur shihej se Mercedesi është bolidi më i shpejtë dhe Hamiltoni e linte përshtypjen e vozitësit më në formë.

Kimi Raikkonen, i cili e nisi këtë garë i treti, e përfundoi atë në këtë pozitë, duke mos qenë asnjëherë në garë për fitore, por duke bërë që të jenë dy Ferrari në podium në start të sezonit, që në letër duket po thuajse i përsosur për ekipin italian.

Daniel Ricciardo  i Red Bullit përfundoi i katërti, duke mos qenë në gjendje të tejkalojë Raikkonenin në shteg, kurse Fernando Alonso, në garën e parë për McLaren me motorë Renault, përfndoi i pesti.

Pikë në këtë garë fituan edhe Max Verstappen, Niko Hulkenberg, Valtter Bottas, Stoffel Vandoorne dhe Carlos Sainz.