Përfundon afati kalimtar dimëror në ligat evropiane

Futboll 01 Shkurt 2018 13:06

Premier League përpos ndeshjeve edhe në transferime, tregohet liga më aktive gjatë dimrit.

Sot është dita e parë pas përfundimit të afatit kalimtar dimëror, kurse bilanci i transferimeve edhe në këtë fillim vit i takon futbollit anglez. Skuadrat nga Premier League ishin më aktivet sa i përket transferimeve, përkundër që pjesa më e madhe e tyre ndodhi pikërisht ndërmjet klubeve angleze. Liverpool ishte skuadra e cila përpos që bëri transferimin më të kushtueshëm, në të njëjtën kohë theu rekordin për blerjen e mbrojtësit më të shtrenjtë. Më poshtë keni disa prej transferimeve të top ekipeve evropiane.

Manchester City i Guardiolës, vendosi të përforcohet në fazën defensive, duke arritur marrëveshje me skuadrën baske të Athletic Bilbaos, për mbrojtësin e tyre francez, Aymeric Laporte, i cili i kushtoi liderit të Premier League 65 milion Euro.

Ekipi Londinez i Arsenal përpos ndërrimit që bëri me Manchester United duke e larguar Alexis Sanchez për armenin Mkhitaryan, në momentet e fundit arritën marrëveshje edhe me skuadrën gjermane të Borussia Dortmund për sulmuesin nga Gaboni, Pierre-Emerick Aubameyang, për shifrën prej 65 milion Euro. Skuadra e Wenger, suguroi po ashtu edhe shërbimet e mbrojtësit grek, Konstantinos Mavropanos për 2 milion Euro. Derisa përpos Sanchez, lojtarët tjerë që u larguan ishin: Theo Walcott për 20 milion Euro tek Everton, Olivier Giroud për 20 milion në Chelsea dhe Coquelin tek Valencia.

Skuadra tjetër nga Mançester, ajo e Manchester United, si skuadër e cila gjatë janarit nuk është se bënë shumë ndryshime në ekip, kësaj radhe vendosi të shfrytëzoj rastin për një ndërrim lojtarësh me “Topçinjtë” nga Londra. E largoi Henrikh Mkhitaryan, për kilianin Alexis Sanchez.

Chelsea në anën tjetër, në fillim të janarit kishte blerë mesfushorin ofanziv nga Everton, Ross Barkley për 17 milion Euro. Pas transferimit të anglezit 24 vjeçar, “Blutë” nga Londra ishin të qetë sa i përket transferimeve, deri në dy ditët e fundit të afatit kalimtar, kur u aktivizuan dhe arritën marrëveshje për dy lojtarë. I pari ishte mbrojtësi i majtë brazilian, Emerson Palmieri, i cili pas tri sezoneve te italianët e Romës, kaloi për 20 milion Euro tek Chelsea. Kurse transferi i ditës së fundit, ishte ai i sulmuesit francez të Arsenal, Olivier Giroud, i cili për 20 milion Euro, ndryshoi vetëm lokacionin brenda qytetit të Londrës.

Liverpool në anën tjetër, nevojën e saj për ndonjë lojtar, e kishte përfunduar menjëherë në fillim të janarit, kur e transferoi holandezin Virgil van Dijk për plotë 85 milion Euro, e që ishte edhe shuma rekord e paguar për një mbrojtës.

Befasi e ditës së fundit, ishte edhe skuadra e Tottenham, e cila arriti marrëveshje me ekipin parisien të PSG, duke transferuar një lojtarë i cili ishte synim edhe i trajnerit Jose Mourinho. Mesfushori brazilian Lucas Moura, tash e një kohë nuk ishte i kënaqur me gjendjen e tij tek PSG, dhe po kërkonte një skuadër ku do të mund të kishte paraqitje më të shumta. Ishte edhe si opsion i Manchester United, megjithatë me opsionin tjetër që zgjodhën “Djajtë e Kuq”, Moura vendosi përsëri për Premier League, por me ekipin e Tottenham, e cila u desh të paguante 30 milion Euro, për shërbimet e tij.

Si përfundim mund të themi se, top ekipet angleze arritën disa përforcime interesante gjatë këtij mini-afati kalimtar. Vetëm mund të spekulojmë nga tani, se si do të jetë afati i verës në Premier League.

-->