Përfundon edhe ndeshja e dytë Kosova – Kuvajti, ky është rezultati

Kombëtarja 06 Janar 2020 19:34

Kombëtarja e Kosovës në hendboll ka barazuar në ndeshjen e dytë miqësore – kontrolluese me Kuvajtin.

21:21 ishte rezultati i ndeshjes të luajtur të hënën në palestrën “Mizahir Isma” në Rahovec para rreth 600 shikuesve. Ishte kjo një ndeshje tjetër e rëndësishme testuese për selektorin Taip Ramadani dhe lojtarët e tij.

Kosova është në përfundim të fazës përgatitore për kualifikimet e Botërorit, që i zhvillon prej të premtes deri të dielën në Benevento të Italisë.

Ndaj Kuvajtit të hënën, Kosova ka pasur epërsi të lehtë thuajse gjatë tërë ndeshjes. Pas pjesës së parë rezultat ishte i barabartë 10:10. Vetëm në fund Kuvajti ka kaluar në epërsi prej një goli, por Kombëtarja e Kosovës ia ka dalur të barazojë rezultatin në 21:21 përmes Jupës.

Edhe në ndeshjen e dytë testuese me Kuvajtin, selektori Ramadani ka provuar skema të ndryshme taktike dhe kombinime të lojtarëve.

Kosova ka përmirësuar dukshëm përshtypjet pas disfatës së pësuar të dielën. Edhe të dielën Kosova u paraqit mirë, por në fazën përfundimtare pësoi shumë gola, ku në fund u mposht me rezultat 22:14.

Të kujtojmë që Kuvajti është prej Kombëtareve më cilësore të Azisë dhe që ka luajtur ndeshje të forta me Kombëtare të mëdha evropiane.

Me paraqitjen e së hënës Kombëtarja kosovare ka dëshmuar se është e gatshme për garën kualifikuese në Itali.

 

-->