Përfundon evropiani për Kosovën

Kombëtarja 21 Korrik 2019 15:02

Me humbjen që pësuan sot ndaj Gjeorgjisë, ka përfundon evropiani për Kosovën U19.

Kombëtarja U19 e Kosovës në hendboll (femrat) sot ka luajtur ndeshjen e fundit në kampionatin evropian, Divizioni B, që u mbajt në Klaipeda të Lituanisë.

Përfaqësuesja jonë luajti për vendin e shtatë dhe u mposht nga Gjeorgjia me rezultat 29:28.

Edhe një herë vajzat tona e lëshuan fitoren nga dora. Pas fillimit më të mirë të gjeorgjianeve, Kosova U19 krijoi epërsi prej dy-tri gola që e mbajti në pjesën e parë. Pjesa e parë përfundoi 11:9 për kombëtaren tonë. Epërsia u rrit edhe më shumë në pjesën e dytë. Kështu në minutën e 40-të rezultati ishte 18:12 për Kosovën e më pas edhe 19:13.

Në minutën e 54-të rezultati ishte 27:23 për Kosovën, por më pas ekipi u ndal. Në minutën e 58-të rezultati u barazua në 27:27 e më pas edhe 28:28. Te Kosova nuk funksiononte asgjë as në mbrojtje e as në sulm dhe gjeorgjianet shënuan penallti në sekondat e fundit për të fituar ndeshjen me rezultat 29:28.

Pos me Çekinë që ishte superiore, vajzat tona ishin rivale të barabarta në të gjitha ndeshjet tjera, me Turqinë, Ishujt Faroe dhe Maqedoninë Veriore.