Përfundon meçi me epilog që nuk e ka pritur askush

Sporte luftarake 02 Dhjetor 2018 06:51

Meçi për titull bote në kategorinë e rëndë në versionin WBC filloi me një minutë heshtje për nder të jetës dhe veprës së ish Presidentit amerikan George HW Bush, i cili vdiq të premten.

Një nga ngjarjet më të mëdha sportive të vitit vendosi përballë njëri-tjetrit në ring dy nga boksierët më të mirë në botë të gjeneratës aktuale dhe dy nga sfiduesit potenciale të boksierit më të trofeshëm të viteve të fundit – britanikut Anthony Joshua, bën të ditur Insporti.

Deontay Wilder – kampioni i versionit WBC, me bilanc prej 40 meçeve dhe 40 fitoreve nga të cilat 39 me nokaut, po përballej me sfiduesin , britanikun Tyson Fury, njeriun po ashtu të pamposhtur në ring me 27 fitore në 27 meçe si profesionist, transmeton Insporti, duke iu referuar të dhënave zyrtare të transmetuesve të meçit.

Arena ku përballën këta të dy kolosë të boksit ishte Staples Center në LA, arena gjigante ku ndeshjet e veta i zhvillojnë LA Lakers, LA Clippers dhe përveç boksit është vend i zhvillimit të ngjarjeve tjera të mëdha.

Në rundin e parë edhe pse munguan goditjet direkte, që mund të prishnin ekuilibrin e boksierit, një kombinim në fund të rundit dha Furyt epërsinë me pikë dhe i mundësoi epërsinë pas 3 minutave boks.

Madje, pikërisht në këtë rund, shikuesit ishin dëshmitarë të një gjesti aspak të zakonshëm kur Fury lidhi duart pas shpine për një moment, duke e lënë fytyrën dhe trupin krejtësisht të hapur ndaj goditjeve dhe duke treguar vetëbesimin, mbase të tepërt me të cilin hyri në duel.

Në rundin e dytë, cilësia e boksit ishte edhe më e lartë, mirëpo, ritmi pak më i ulët, duke dëshmuar se boksierët po tentonin që të fillonin pjesën taktike të duelit dhe po kërkonin dobësitë e njëri-tjetrit në ring, transmeton Insporti, duke u bazuar në vlerësimet e mediave ndërkombëtare.

Një goditje precize e Furyt në pjesën e kokës mbi syrin e majtë të Wilderit, i dha britanikut epërsinë në fund të këtij rundi dhe e vendosi atë në pozitë më të mirë pas 9 minutave boks, kur veçse e kishte bërë të qartë për të gjithë se nuk do të kishe nokaut të hershëm dhe përfundim të meçit me një goditje “vrastare” të amerikanit.

Në rundet 4, 5 dhe 6 Fury dëshmoi përgatitje të shkëlqyeshme fizike duke mos rënë asnjëherë në ritmin e lëvizjeve të tij në ring dhe duke përdorë të djathtën sa herë që ka pasur mundësi.

Fury po ashtu dëshmoi edhe përgatitje më të mirë taktike në këtë kohë, duke përdorë shtatlartësinë dhe gjatësinë e duarve, ku kishte epërsi ndaj kundërshtarit, duke mos lejuar kështu që ai ti afrohet në distancë për goditje që mund ta rrezikonin seriozisht britanikun.

Wilder arriti të godasë saktë në kokë Furyn vetëm në rundin e tetë, mirëpo, edhë ky rund i takoi Furyt me pikë dhe kjo bëri që në katër rundet e fundit, Wilder të futej duke ditur se para vetes ka dy opsione – fitoren me nokaut ose humbjen, meqë me pikë e kishte po thuajse të pamundur të fitojë meçin dhe të mbrojë titullin, bën të ditur Insporti.

Pikërisht kjo bëri që Wilder të “egërsohet” në rundin e nëntë dhe ta rrëzojë Furyn në këtë rund. Mirëpo, fjala ishte për një nokdaun, nga i cili Fury u këndell shumë shpejt. Sidoqoftë, ishte një lëvizje që tregoi se boksierët në tri rundet e fundit po hynin duke kërkuar fitoren po thuajse me çdo kusht.

Përgatitja e shkëlqyeshme fizike e Furt erdhi në shprehje prapë, meqë në rundin e 10-të, kur Fury jo vetëm që kontrolloi rundin, por kishte kohë të provokojë kundërshtarin duke nxjerrë gjuhën në fund të rundit.

Mirëpo, në rundin e 12-të Wilder edhe një herë nokautoi Furyn dhe britaniku, sërish u ngrit edhe pse ishte i përplasur me kokë për dyshemeje pas goditjes me të djathtën, transmeton Insporti.

Sidoqoftë, gjyqtarët vendosën që meçi është baras, pas mbledhjes së pikëve me vendim jounanim, duke bërë që Wilder të mbajë titullin e botës në versionin WBC në kategorinë e rëndë në boksin profesionist.