Përfundon rrugëtimi përrallor i 15-vjeçares Gauff në Wimbledon

Tenis 08 Korrik 2019 21:01

Rrugëtimi përrallor i Coco Gauffit në Grand Slamin e tenisit “Wimbledon” ka mbaruar të hënën me humbjen ndaj ish-tenistes numër një në botë, Simona Halep.

Bartësja numër shtatë, Halep 27-vjeçare, triumfoi me 2:0 në sete (6:3, 6:3) ndaj amerikanes 15-vjeçare Gauff, për të kaluar në çerekfinale ku do të përballet me kinezen Zhang Shuai.

Gauff kishte mposhtur Venus Williamsin, Magdalena Rybarikovan dhe Polona Hercogun duke arritur në 1/8 e finales.

Mirëpo, ajo nuk dukej fare në nivelin e saj të hënën dhe ftoi edhe mjekun në fushë, në setin e dytë.

Gauff po tentonte të bëhej çerekfinalistja më e re e Wimbledonit qëkur bashkëkombësja e saj Jennifer Capriati po ashtu në moshën 15-vjeçare arriti në çerekfinale të këtij Grand Slami.

“Unë nuk po ndihesha shumë mirë, por prapë dhashë çdo gjë nga vetja. Unë nuk e di se çfarë ishte, por prapë u argëtova, ndonëse po humbisja. Kam mësuar shumë se si të luaj para tifozërisë së madhe dhe si të luaj nën presion. Jam shumë falënderuese për këtë përvojë”, ka thënë Gauff, shkruan BBC.

Meçi i Gauffit me Halepin ishte ai që tërhoqi interesimin më të madh të hënën. Arena ishte e stërmbushur.

Mirëpo presioni dukej se ishte i tepërt për 15-vjeçaren, që tregoi nervozë të hershme kur humbi gemin në shërbimin e vet të parë.

Gauff më pas u kthye dhe ia mori gemin Halepit dhe dukej se do të kthente setin e parë në favor të vetin. Mirëpo, Halep e fitoi atë. Më pas fitoi edhe meçin.

Po të hënën është eliminuar edhe bartësja numër një, australiania Ashleigh Barty që u mposht me 2:1 në sete nga Alison Riske.