Përjashtohet “Beckhami” i futbollit të femrave në Shqipëri

Futboll 18 Prill 2019 14:45

Komisioni i Disiplinës ka publikuar vendimet e fundit, ndërsa ka marrë masat për shkeljet e kryera nga klubet apo futbollistë në fushën e lojës. Ndërkohë, ndër dënimet  e tjera të  bie në sy një dënim i veçantë për sa i përket futbollit të femrave.

Futbollistja e skuadrës Juban, Paula Jaku është përjashtuar me një vit përjashtim nga futbolli. Në arsyetimin e dhënë nga Komisioni i Disiplinës thuhet se Jaku është përjashtuar për shkak të dhunës ndaj zyrtares së ndeshjes. Ndërkohë Paula Jaku, nuk është një emër i panjohur për futbollin e femrave pasi specialiteti i saj janë goditjet e dënimit, ndërsa shpeshherë ia ka dalë të shënojë nga distanca duke marrë vëmendje për cilësinë e veçantë.

Megjithatë, është për t’u përmendur fakti se dhuna në futbollin shqiptar mbetet prezente dhe përveç se në superiore apo në kategoritë e tjera, tashmë ka qenë pjesë edhe në futbollin e femrave.