Përmes Serbisë në Hungari, trajneri kosovar rrëfen përvojën që përjetoi me futbollistet e tij deri në Hungari

Futboll 06 Gusht 2018 14:46

Kampioni i Kosovës në futboll për femra, KFF Mitrovica do ta përfaqësojë vendin në Ligën e Kampionëve këtë edicion.

Futbollistet e këtij ekipi të dielën mbrëma janë nisur për në Hungari ku do t’i zhvillojnë tri ndeshje kualifikuese ndaj MTK Budapestit (Hungari), Slavia Praha (Çeki) dhe Atashehir Beledyiesi (Turqi).

Ekipi i drejtuar nga Seid Onbashi ka udhëtuar me autobus për në Hungari, me ç’rast ka parakaluar nëpër Serbi.

Ndërkohë, gjatë rrugës një veturë e policisë ka qenë nën përcjellje të autobusit në të cilën ndodhej ekipi kosovar.

Me të mbërritur në Hungari, trajneri Onbashi ka njoftuar për Insporti se ekspedita kosovare ka kaluar pa probleme nëpër Serbi. “Rrugës kemi kaluar shumë mirë. Kemi qenë në përcjellje të Policisë prej kufirit në Merdare e deri në kufi të Hungarisë. Nuk kemi patur asnjë problem”, ka thënë Seid Onbashi për Insporti.

Tutje, Onbashi ka folur edhe për synimet e klubit në Ligën e Kampionëve. “Synimet e klubit janë që të paraqitemi sa më mirë. Problemi kryesor është fakti se kemi pak njohuri për kundërshtarët. Klubet i njohim vetëm si klube të meshkujve pasi që të femrave, nuk kemi arritur që të sigurojmë shumë informata. Prapë se prapë, besoj në këtë grup të vajzave dhe do të jemi kundërshtar i fortë për secilin ekip duke e ditur fondin e lojtarëve dhe kushtet që na ka ofruar kryesia e klubit”, përfundoi Seid Onbashi. /Insporti.com/

 

-->