Përplasen Feronikeli dhe Partizani për talentin shqiptar

Futboll 21 Qershor 2018 12:21

Stërvitet me Partizanin, por është prezantuar si transferim cilësor te Feronikeli në Kosovë. E ardhmja e Artur Maganit është në mes Tiranës e Drenasit, por fakti që ai po stërvitet nën urdhrat e trajnerit të sapoemëruar të Partizanit, Skënder Gega, sugjeron se Magani mund të jetë pjesë e Kategorisë Superiore të Shqipërisë.

Klubi nga Tirana, në fakt, nuk ka bërë asnjë njoftim zyrtar për nënshkrimin me Maganin, çka do të thotë ndoshta që më parë duhet të bindë stafin teknik, e nga ana tjetër te Feronikeli ngulmojnë se kanë marrëveshje me futbollistin nga Peqini.

Nëpërmjet një reagimi zyrtar, klubi nga Drenasi, Feronikeli, njofton se futbollisti ka marrëveshje parimore me ta.

“Ditëve të fundit nëpër media ka qarkulluar informacioni spekulativ se superlojtari dhe një ndër golashënuesit më të mirë të Superligës në sezonin e kaluar, Artur Magani, ka ikur nga Feronikeli pas prezantimit në klub pak javë më parë. Andaj, për hir të korrektësisë ndaj tifozëve dhe dashamirësve të futbollit, Feronikeli njofton që Magani përfundimisht vazhdon të mbetet pjesë e klubit. Presidenti i klubit, Naser Ramaj, ka biseduar me të dhe në parim është konkretizuar marrëveshja, ndërkaq nënshkrimi i kontratës do të bëhet shumë shpejt. Ai i është bashkuar klubit tonë për të forcuar edhe më shumë lojën në luftën e padiskutueshme për titull”, u tha në reagimin e Feronikelit. /Insporti.com

-->