Përplasja Gattuso – Bakayoko vazhdon edhe pas ndeshjes me Bolognan

Futboll 07 Maj 2019 09:42

Përplasja e trajnerit të Milanit, Gennaro Gattuso dhe mesfushorit Tiemoue Bakayoko ka vazhduar edhe pas ndeshjes me Bolognan.

Bakayoko në pamjet televizive ishte parë duke fyer trajnerin Gattuso, në kohën kur pritej që ai të zëvendësonte Lucas Biglian e lënduar në pjesën e parë të fitores 2 me 1 për Milanin.

Gattuso megjithatë nuk e inkuadroi 24-vjeçarin e duke vazhduar polemikat me të. Pas takimit, trajneri italian kishte thënë se Bakayokos i ishin dashur tetë minuta të bëhej gati dhe se me të do të merrej në zhveshtore.

“I kam thënë Bakayokos të nxehej, por i mori kohë tetë minuta të bëhej gati”, ka thënë Gattuso pas takimit.

“Të gjithë mund të më fyejnë mua, por do të takohemi më pas e të shikohemi sy më sy. Dua të flas me të në zhveshtore në gjuhën time, që s’mund ta bëj në TV. Prioriteti i duhur nuk është egoja ime apo e lojtarëve. Veshim një fanellë të lavdishme dhe duhet të bëjmë gjërat e duhura. Në fund të vitit secili japim raport, si në shkollë, dhe do të shohim kush ishte sjellë mirë e kush keq”, ka thënë Gattuso.

Pas deklarimeve të italianit, edhe mesfushori Bakayoko ka reaguar përmes rrjete sociale. 24-vjeçari i huazuar nga Chelsea ka thënë se nuk ishte vonuar siç ka thënë Gattuso dhe se i kishte thënë fjalët e njëjta me të cilat i ishte drejtuar trajneri.

“Për disa javë, njerëzit flasin për mua, por kam vendosur të mos them asgjë dhe të vazhdoj të punoj. Por ajo që ndodhi sonte dhe interpretimi që iu dha më detyron të reagoj menjëherë sepse nuk e pranoj deklarimin se jam një futbollist që refuzoj të hyj në fushë kur trajneri i kërkon apo se jam lojtar që s’respekton klubin e bashkëlojtarët. Pavarësisht se nga banka, isha i gatshëm të jepja 200 për qind nga vetja edhe nëse duhej të luaja vetëm pesë minuta. Kur Biglia nisi të kishte probleme në fushë, mua m’u kërkua të bëhem gati. U bëra gati shpejt për maksimum 2-3 minuta. Më pas m’u kërkuar të kthehem në ulëse. Gjithçka kaloi mes minutave 23 dhe 26. Kur u ula trajneri foli në gjuhë të papritur dhe vetëm i përsërita fjalët e tij. Asgjë më shumë”, ka shkruar Bakayoko në një njoftim në ‘Twitter’.