Përsëri dështojnë Warriors, Raptors afër historisë

Basketboll 08 Qershor 2019 10:09

Toronto Raptors janë një fitore larg titullit kampion në NBA, pasi arritën të fitojnë edhe përballjen e katërt ndaj Golden State Warriors, duke çuar bilancin total të ndeshjeve në 3-1.

Brenda 48 orëve, Raptors ia dolën të triumfojnë në “Oracle Arena” të Oaklandit, që është edhe shtëpia e kampionëve në fuqi të Warriors, këtë herë me rezultatin 92-105.

Kaëhi Leonard ishte lideri i skuadrës kanadeze, me plot 36 pikë të shënuara, dy asiste dhe 12 kërcime, ndërsa Thompson dhe Curry për vendësit, nuk arritën të shmangin humbjen, ndonëse zhvilluan një ndeshje mjaft të mirë.

Takimi nisi vrullshëm për vendësit, të cilët arritën të fitonin në fraksionin e parë me rezultatin 23-17, por vetëm kaq, sepse më pas gjithçka foli në favor të kanadezëve, që veçanërisht në çerekun e tretë, u treguan të jashtëzakonshëm, duke marrë plot 16 pikë më shumë se kundërshtari.

Tani finalja do të zhvendoset në “Scotia Bank Arena” të Torontos, ku në rast fitoreje, vendësit do të mund të hapin shampanjën e festës së titullit kampion, dhe të “shkurorëzojnë” kështu Golden State Warriors, që në 4 vitet e fundit, është shpallur 3 herë kampione./Insporti