Përzgjedhësja e Kosovës, Afërdita Fazlija flet pas humbjes së thellë nga Rusia

Futboll 07 Mars 2020 08:59

Kosova të premten (dje) ka pësuar një humbje të thellë nga Rusia në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian “Euro2021”.

Vashat tona u mposhtën me rezultat 5:0, derisa përzgjedhësja e Kosovës, Afërdita Fazlija ka treguar arsyet e humbjes së thellë, shkruan Zëri.info.

“Realisht u pa që Rusia është nivel më i lartë se ne. Megjithatë mund ta konsiderojmë edhe si një ditë të pafat. Morëm gol në minutën e parë nga një aksion i paqenë. E njëjta situatë ndodhi edhe te goli i dytë”, ka thënë Fazlia për FFK-në, duke shtuar:

“Është problem kur ke përballë një kundërshtar që ka nivel më të lartë dhe ta nisësh ndeshjen me një gol. Kjo na ndodhi neve. Lojtaret u përpoqën të bëjnë diçka në vazhdim, por për çudi disa pika të forta që i kemi sonte dështuan.

Me një fjalë morëm gola nga asgjëja. Përkundër që edhe në disa periudha edhe ne krijuam raste, u pa që përvoja e bënë të veten dhe neve si ekip i ri na mbetet të vazhdojmë të punojmë shumë.

Nuk mendoj që loja ishte për t’i pësuar pesë gola, por ja që në futboll ndodh kjo. Gjithsesi, duhet ta kuptojmë se kjo është rruga e kombëtareve të vogla, këto janë sfidat që duhet t’i kalojmë.

Tash na mbetet që të mobilizohemi për ndeshjen me Slloveninë dhe të japim më të mirën tonë”, përfundoi Afërditë Fazlija.

-->