Pezullohet gjyqtari që ofendoi Albin Kurtin

Futboll 26 Mars 2020 12:41

Gjyqtari i Ligës së Dytë së futbollit së Kosovës, Qëndrim Vata, mbrëmjen e kaluar ka krahasuar kryeministrin tashmë në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, me diktatorin korean Kim Jong-Un, raporton Insporti.

Pas raportimit të Insportit, Komisioni i Gjyqtarëve ka vendosur ta pezullojë gjyqtarin Vata, për shkak të deklaratës së tij në rrjetet sociale, me ç’rast ka bërë ofendim të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

Vendimi i plotë

Komisioni i Gjyqtarëve në bazë të kodeksit të mirësjelljes për të gjithë anëtarët e FFK-së, e ku janë të përfshirë edhe gjyqtarët, ka vendosur masën e pezullimit për gjyqtarin Qendrim Vata, për shkak të deklaratës së tij në rrjetet sociale, me ç’rast ka bërë ofendim të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti. Njëherësh Komisioni i Gjyqtarëve lëndën e këtij rasti e delegon tek Komisioni Disiplinor i FFK-së, ku do të kërkohet edhe deklaratat e të lartpërmendurit.
Komisioni i Gjyqtarëve u bën thirrje të gjithë gjyqtarëve që të mos shprehin qëndrime politike, e aq më pak të shprehën në forma të tilla ofenduese për cilindo politikan apo institucion. Sporti është vetëm sport.

Me respekt,
Përparim Hasani, kryetar i Komisionit të Gjyqtarëve

 

-->