Pikë historike për kombëtaren tonë

Kombëtarja 22 Korrik 2019 19:56

Kombëtarja U21 e Kosovës në hendboll ka fituar të hënën pikë historike në kampionatin botëror për juniorë që po mbahet në Spanjë.

Në ndeshjen e fundit në grup, Kosova barazoi me Bahrejnin me rezultat 29:29. Kështu Kosova në pjesëmarrjen e parë në botëror në të gjitha sportet, përfundon fazën grupore me një pikë të fituar. Tani Kombëtarja jonë i ka edhe dy ndeshje për plasman përfundimtar (21-24).

Ndeshja me Bahrejnin ishte e fortë dhe shumë dramatike.

U vendos vetëm në sekondat e fundit. Rezultati 29:29 u barazua në minutën e fundit, ndërsa në aksionin e fundit Bahrejni nuk realizoi gol. Golin e barazimit 29:29 për Kosovën e shënoi aloja Rinor Avdulli.

Të gjithë lojtarët kanë dhënë maksimumin e tyre në ndeshje ndaj Bahrejnit. Pas epërsisë fillestare të Kosovës, Bahrejni doli në epërsi që shkoi deri në katër gola në pjesën e parë (9:5).

Në minutën e 20-të rezultati u barazua në 9:9, por Bahrejni prap u shkëput, ndërsa djemtë tanë nuk u dorëzuan dhe pjesa e parë përfundoi me rezultat 15:14 për Bahrejnin.

Pjesën e dytë më mirë e nisi kundërshtari që krijoi epërsi 18:14 e 19:15. Katër gola epërsi Bahrejni kishte edhe më pas, por Kosova gradualisht zvogëloi epërsinë dhe në fund siguroi barazimin.

Drenit Tahirukaj me 6 gola ishte më efikasi, ndërsa nga 5 i realizuan Jon Muqolli e Albin Xhafolli.

Por të gjithë dhanë kontribut në barazimin e parë në botëror. Portieri Flakrim Beqiraj kishte 10 pritje, kurse Arti Luzha dy pritje në momentet vendimtare.

 

-->