Pinar Karsiyaka – Z Mobile Prishtina, mbyllet me këtë rezultat

Basketboll 09 Janar 2019 20:16

Ka përfunduar ndeshja në Izmir, në të cilën Z Mobile Prishtina ka pësuar humbje me rezultat 107:85 nga skuadra turke Pinar Karsiyaka.

Ndeshja ishte e vlefshme për xhiron e tretë të Grupit I të FIBA Europe Cup.

Skuadra turke gjatë gjithë kohës ishte në epërsi dhe fitorja e saj nuk u rrezikua për asnjë moment. Kjo ishte fitorja e dytë e saj në tri ndeshjet e deritashme, ndërsa për Prishtinën humbja e dytë.

Në çerekun e parë dhe të katërt Pinar Karsiyaka ishte dukshëm më e mirë, derisa në të dytin dhe të tretin skuadrat ishin përafërsisht të barabarta.

Sek Henry me 22 pikë, Assem Marei (21) dhe Ilkan Karaman me 18 ishin më të dalluarit te Pinar Karsiyaka.

Ndërsa, Kyan Anderson me 26, Khalid Boukichou me 22 e Dardan Berisha me 16 pikë ishin më efikasit te Z Mobile Prishtina.