Pioli nuk përmbahet pas barazimit ndaj Juventusit

Futboll 14 Shkurt 2020 08:36

Pa fitues është mbyllur takimi i parë gjysmëfinale mes Milan dhe Juventus, në kuadër të Kupës së Italisë.

Rezultati ishte 1:1 me Juventusin që arriti krejt në fund ta barazoi atë.

Rossonerët gjetën golin me Ante Rebic (61’), i cili pas dy rasteve të humbura arriti të mposhte Buffon.

Ishte i zakonshmi Cristiano Ronaldo (90+1’) që barazoi rezultatin falë një 11-metërshi të cilin e fitoi vet.

Shumë i mërzitur me penalltinë e dhënë në drejtim të Juventusit është shfaqur tekniku i Milanit, Stefano Pioli. Ky i fundit në intervistën e dhënë pas ndeshjes, është shprehur se është krenar për ekipin e tij, duke thënë se ajo penallti në fund nuk duhej të jepej.

”Jam larguar nga kjo ndeshja pa asnjë pendim. Lojtarët e mi dhanë shpirtin në fushë, tifozët duhet të jenë krenarë për këtë. Ne merituam një rezultat tjetër dhe do të provojmë ndeshjen e ardhshme. Penalltia? Kishte një faull në drejtim të Ibrahimovicit më parë në fillim të aksionit dhe nuk u dha. Rasti ishte identik me atë të Cerri në ndeshjen Cagliari-Brescia, nuk ishte penallti. Calabria ishte me kurriz dhe nuk mund ta shikonte topin. Këtë e ka thënë edhe Ricoli, ai nuk mund të presë krahët e tij, e preku para se të binte lojtari në tokë. Jam shumë i hutuar dhe nuk i kuptoj këto rregulla. Nuk është e qartë kur një prekje jepet me dorë dhe kur jo, sipas mendimit tim është e pamundur që Calabria të shmanget në atë moment”, u shpreh Pioli.

-->