Pires thotë se Van Dijk nuk meriton të shpallet “Më i Miri” në PL

Futboll 04 Mars 2019 17:37

Virgil van Dijk dhuroi një paraqitje briliante për Liverpoolin, në barazimin pa gola kundër Evertonit, të dielën.

“Liverpool Echo” e vlerësoi paraqitjen e tij me notën 9, derisa Jamie Carragher potencoi se Liverpooli do ta humbte takimin, nëse nuk do të luante Van Dijk.

Nëse “Të Kuqtë” fitojnë Premier Leaguen, ata do ta bëjnë këtë falë paraqitjeve fantastike të Van Dijkut në zemër të mbrojtjes, transmeton Insporti.

Liverpooli e ka mbajtur 17 herë portën të paprekur këtë sezon, derisa është e vështirë ta mendojmë një lojtar tjetër që e meriton të shpallet “Më i Miri i Vitit” më shumë se Van Dijk.

Mirëpo, ish-ylli i Arsenalit, Robert Pires beson se Eden Hazardi e meriton këtë çmim jo Van Dijku.

“Mendoj se Hazardi është lojtari më i mirë në Premier League dhe i përshtatet profilit të asaj që po kërkon Real Madridi,” tha ai.

“Kam parë komente se ndoshta Van Dijk do të shpallet ‘Më i Miri i Vitit’ në PL, por aty nuk duhet të ketë ndonjë fitues tjetër përveç Hazardit.

“I shikoj ndeshjet e Chelseat vetëm sepse dua ta shikoj Hazardin duke luajtur.

“Chelsea është shumë me fat që e ka atë dhe ai mund të bëjë gjëra që asnjë lojtar tjetër në botë nuk mund t’i bëjë.” /Insporti.com/

-->