Pistons nuk kanë të ndalur, Cleveland fiton pas Overtime

Basketboll 08 Shkurt 2018 09:23

Detroit Pistons vazhdojnë ecurinë e ndeshjeve pozitive, posaçërisht pas ardhjes së Blake Griffin dhe kjo ishte fitorja e tyre e pestë rresht.

Griffin edhe në këtë përballje kundër Brooklyn Nets, ishte më i miri me 25 pikë e 7 asistime, ku 11 pikë i shënoi vetëm në çerekun e katërt. Kurse, Andre Drummond shënoi 17 pikë dhe shpërtheu me plotë 27 kërcime brenda ndeshjes, që ishte rekordi i tij në këtë sezon dhe ishte vetëm 2 kërcime më pak se rekordi i tij personal. Duhet thënë se për Drummond, ishte ndeshja e tretë në pesë të fundit, që arrin 20 e më shumë kërcime.
Për mysafirët më i miri ishte Allan Crabbe me 34 pikë, ku shënoi i vetëm 16 pikët rresht të Brooklyn, brenda disa minutave në çerekun e katërt dhe me këtë ngushtoi diferencën e Pistons në vetëm tre pikë, 91-88. Më pas Detroit la topin në duart e Blake Griffin, i cili shënoi 9 nga 11 pikët e Pistons deri në fund, për të siguruar fitoren e tyre të radhës.

Në ndeshjen tjetër, ku pati dramë të vërtetë, ishte ajo e zhvilluar në “Quicken Loans Arena” të Cleveland. Ishte LeBron James ai i cili e siguroi fitoren për Cavaliers në sekondat e fundit të Overtime. James e përfundoi këtë ndeshje me triple-double prej 37 pikëve, 10 kërcimeve dhe 15 asistimeve, kurse Tristan Thompson shtoi 17 pikë e 5 kërcime dhe kishte efikasitet 78% në tentimet nga loja.
Tek Timberwolves, Karl-Anthony Towns e përmbylli ndeshjen me double-double, 30 pikë e 10 kërcime dhe ishte 100% nga tentimet për tre pikë 6/6, kurse Jimmy Butler shënoi 35 pikë tjera dhe pati edhe 5 kërcime e 6 asistime.
Kjo dyshe patën mundësinë ta fitonin ndeshjen për ekipin e tyre, po të mos vinte në ndihmë për kundërshtarët “King” James në sekondat e fundit të lojës shtesë, me një buzzer-beater që e fitoi ndeshjen. Cleveland i kishin humbur tetë ndeshjet e kaluar që ishin transmetuar nga rrjetet e transmetimit të ndeshjeve, më ç’rast pas humbjes ndaj Houston, LeBron nën afektin e dëshpërimit u shpreh se ndeshjet e Cleveland nuk duhet të transmetohen më. E më në fund, ndeshja e tyre u caktua për në Prime Time. /Insporti.com

Rezultatet e takimeve tjera ishin:

Detroit Pistons – Brooklun Nets (115-106)

Miami Heat – Houston Rockets (101-109)

Cleveland Cavaliers – Minnesota Timberwolves (140-138)

Memphis Grizzlies – Utah Jazz (88-92)

Phoenix Suns – San Antonio Spurs (81-129)

-->