A po i thotë Umtiti lamtumirë Barcelonës ?

Futboll 11 Prill 2018 12:28

Përmbysja e rezultatit mbrëmë nga Roma dhe eliminimi i Barcelonës nga Liga e Kampionëve në çerekfinale, ka vënë shumë pikëpyetje për paraqitjen e lojtarëve të Barçës mbrëmë në “Olimpico”.

Pati kritika sidomos për repartin e mbrojtjes, e nga këto kritika nuk u përmbajt as Lionel Messi, i cili sipas “Diario Gol”, e kishte akuzuar direkt mbrojtësin francez, Samuel Umtiti, për paraqitjen e dobët, pasi po e ka mendjen tek transferimi i tij në Manchester United.

Në fakt, kohëve të fundit Umtiti është shndërruar në lajm, lidhur me zërat për kalimin e tij të mundshëm gjatë verës në “Old Trafford” dhe sipas “The Sun”, njëra nga arsyet pse ish-trajneri i “Djajve të Kuq”, Sir Alex Ferguson, ishte mbrëmë për ta përcjell ndeshjen në “Olimpico”, është edhe francezi Samuel Umtiti.

Tabloidi britanik raporton se, Fergie kishte një mision special në ndeshjen Roma – Barcelona, e ai ishte ta vëzhgonte mbrojtësin francez të skuadrës “Blaugrana”.

“The Sun”, vazhdon duke potencuar se Alex Ferguson, ka dashur të shohë nga afër paraqitjen e Samuel Umtiti, i cili është njëri nga objektivat kryesor të kësaj vere për mbrojtjen e Man.United.

Përkundër se paraqitja e francezit mbrëmë, nuk ishte një provë e mirë për të, pa marrë parasysh kësaj, Jose Mourinho ka një simpati për të dhe e sheh Samuel Umtitin si një tandem perfekt në qendër të mbrojtjes së United, bashkë me Eric Bailly.

Umtiti është duke kërkuar ngritje page tek ekipi katalan, që mendohet se është vetëm një pretekst i tij për t’u larguar, pasi Barça thuhet se nuk do të pranojë t’ia trefishojë pagën francezit, derisa Man.United janë më se të gatshëm t’i ofrojnë një pagë të majme mbrojtësit 24 vjeçar, i cili në vitin 2016 kishte kaluar nga skuadra franceze Lyon tek Barcelona për 25 milionë euro. /Insporti.com

-->